Një nga episodet më dramatike të historisë politike shqiptare, grushti i shtetit i 14 shtatorit 1998, është risjellë në vëmendje përmes një dëshmie të rrallë dhe të drejtpërdrejtë nga ish-truproja i Fatos Nanos, Viktor Agolli.
Në një intervistë, ai ka zbuluar për herë të parë detaje të brendshme dhe dinamika që ndodhën në orët më të nxehta të atij përplasjeje që tronditi kryeqytetin shqiptar.
Pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, tensionet në vend shpërthyen në dhunë. Ish-kryeministri Sali Berisha, sipas Agollit, u vu në krye të një përpjekjeje të armatosur për të rrëzuar qeverinë e majtë të Fatos Nanos.
“U organizua një grusht shteti i pastër. Grupi i armatosur mori nën kontroll për disa orë godinat më të rëndësishme të shtetit: Kryeministrinë, Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës… Madje një granatë shpërtheu në zyrën e kryetarit të Kuvendit të asaj kohe, Skënder Gjinushi,” – tregoi Agolli.
Ai rrëfen se gjithçka ndodhi me shpejtësi, ndërsa anëtarët e qeverisë po përpiqeshin të shpëtonin nga godinat e rrethuara. “Ishte momenti kur qeveria ishte mbledhur në takim. Dikush ruante shtëpinë, të tjerë ishin të pozicionuar sipas urdhrave të komandantit të Gardës.
Disa kaluan gardhin, të tjerë dolën nga tuneli. I fundit që u largua ishte Edi Rama – atë kohë ministër i Kulturës – ai doli nga mbrapa, në drejtim të RTSH-së. Nano ishte shpëtuar më herët – kishte dalë në zonën e Dajtit dhe më pas ishte çuar drejt Librazhdit, për të kaluar në Strugë,” – shpjegoi ai.
Sipas Agollit, gjatë gjithë kohës, ai qëndroi së bashku me dy kolegë të tjerë për të ruajtur vilën ku strehohej Nano. “Ishte ndoshta i vetmi rast që Fatos Nano pranoi që ne të merrnim në dorë komandën për sigurinë e tij. Ishim vetëm pesë ose gjashtë vetë që u angazhuam për këtë mision. Ishte një situatë lufte.”
Grushti i shtetit i shtatorit 1998 mbetet një nga momentet më të errëta dhe më të diskutueshme të tranzicionit shqiptar. Dëshmia e Agollit sjell jo vetëm një pasqyrë nga brenda e asaj që ndodhi atë ditë, por edhe një ndjesi urgjence dhe kaosi që përfshiu gjithë shtetin. Rrëfimi i tij bën edhe njëherë të qartë se ajo që ndodhi nuk ishte një protestë spontane, por një përpjekje e organizuar për të përmbysur me forcë rendin kushtetues.