Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në Tiranë, ku një bombul gazi ka shpërthyer në një banesë në lagjen “Konferenca e Pezës”, duke shkaktuar disa të lënduar.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 11:20, në banesën e shtetasit E. H., ka ndodhur shpërthimi fillestar i bombulës, duke lënduar pronarin e shtëpisë, i cili është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Situata është përkeqësuar më tej gjatë ndërhyrjes së forcave të Policisë dhe zjarrfikëses, ku ka ndodhur një shpërthim i dytë, duke lënë të plagosur dy punonjës policie, shtetasit Xh. P. dhe I. K., si dhe një punonjës të zjarrfikëses, shtetasin Sh. K.
Të katër të lënduarit ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spital, dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor, i cili ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë incident të rrezikshëm.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal me përdorimin e pajisjeve të gazit në banesa, për të shmangur ngjarje me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin.
