Pas triumfit në “Big Brother VIP Albania 4”, ku rrëmbeu çmimin e madh prej 100 mijë eurosh, Gjesti realizoi daljen e tij të parë publike në një intervistë në emisionin “Portokalli”. Gjatë bisedës, ai u përball me një pyetje që ngjalli kureshtje: “Të ka uruar Xheneta për fitoren?”
Përgjigjja e Gjestit ishte e shkurtër, por e ngarkuar me nënkuptime:
“Kush është ajo?” – tha ai, duke e injoruar hapur ish-partneren me të cilën kishte pasur një lidhje në “Big Brother VIP Kosova”.
Burime pranë produksionit konfirmojnë se pas mbylljes së BBVA, Gjesti dhe Xheneta janë ndeshur për herë të parë në ambientet e Top Channel, pasi të dy ishin të angazhuar në projekte të ndryshme – Gjesti pas finales dhe Xheneta si pjesë e panelit në “Trotuar”, rubrikë e programit “E Diell”.
Takimi mes tyre ishte thuajse i pashmangshëm dhe ndodhi në javën e parë pas përfundimit të spektaklit. Megjithatë, siç ka treguar vetë Xheneta në episodin e fundit të “Trotuar”, pavarësisht se u panë ballë për ballë, ata nuk shkëmbyen asnjë fjalë.
“Unë nuk kam folur me të,” – u shpreh Xheneta, duke sqaruar se Gjesti ishte i shoqëruar nga rojet e sigurisë. Ajo pranoi se mes tyre pati vetëm një shkëmbim buzëqeshjesh, një moment i vogël, por shumë i komentuar nga të pranishmit dhe ndjekësit në rrjete sociale.
E pyetur nga moderatorja Nevina Shtylla nëse do të përshëndeste Gjestin në rast se ai do t’i afrohej, Xheneta u tregua shumë e prerë:
“Jo, nuk do të flas…”, tha ajo, duke e mbyllur çdo mundësi komunikimi.
Në vijim të deklaratës së saj, Xheneta sqaroi se ky vendim për të mos pasur më asnjë marrëdhënie me Gjestin është krejtësisht personal dhe nuk është ndikuar nga askush tjetër:
“Menaxheri im nuk ndërhyn në asnjë vendim timin,” – theksoi ajo, duke lënë të kuptohet qartë se për të, historia me Gjestin është tashmë një kapitull i mbyllur përfundimisht.
Kjo distancë e ftohtë midis dy ish-banorëve ka tërhequr vëmendjen e fansave dhe mediave, të cilët vijojnë të komentojnë mbi këtë marrëdhënie të tensionuar dhe çfarë mund të ketë ndodhur mes tyre pas daljes nga reality show-t përkatës.
