Ish-kryetari i komunës Mortsel në Belgjikë, Amarildo Vllazeria i cili u arrestua të martën për t’u marrë në pyetje lidhur me një hetim për një bandë droge, mohon përmes avokatit të tij të ketë qenë i përfshirë në ndonjë vepër penale.
27-vjeçari me origjinë shqiptare është liruar me kushte pas marrjes në pyetje, ndonëse prokuroria publike thotë se ka indikacione të rënda për fajësi.
Sipas mediave vendase, arrestimi erdhi si pjesë e një hetimi të nisur pas mesazheve të hakuara nga platforma ‘Sky ECC’. Banda e shënjestruar mësohet se është përfshirë në import dhe eksport të drogës si dhe transportin e tyre në periudhën 2020-2021.
Autoritetet kanë kryer kontrolle në shtëpinë e tij pranë qytetit Mortsel. Raportohet se ish-kryetari Vllazeria nuk u rizgjodh këtë mandat legjislativ, por do të bënte betimin si këshilltar bashkiak të martën në mbrëmje, që nuk ndodhi për shkak të arrestimit.
Ndërkohë avokati i 27-vjeçarit shqiptar pretendon se i riu nuk ka kryer asnjë vepër penale. Ai thotë se Vllazeria nuk ka abuzuar me asnjë mandat politik, e ka bërë punën me nder dhe po bashkëpunon plotësisht me hetimin duke shpresuar për drejtësi.
“Fakti që ai ka poseduar për një periudhë të shkurtër kohe, për arsye të kuptueshme profesionale, një llogari që konsiderohet e dyshimtë në kuadër të një hetimi më të gjerë, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet vepër penale. Klienti i tij po bashkëpunon plotësisht me hetimin dhe pret rezultatet e tij me besim. Ai shpreson që hetimi gjyqësor të përfundojë me urgjencën e nevojshme, në mënyrë që çdo dyshim t’i jepet fund”, tha avokati i tij Jan Swennen.
