Pas gati dy orësh nga reagimi i ministrit Toni Gogu i cili pranoi haptazi takimin e kryer me Erion Veliaj por mohoi t’i ketë dhënë “mesazhe” këtij të fundit, kryebashkiaku i Tiranës pretendon se është urdhëruar që të delegojë Bashkinë e Tiranës te Arbër Hajdari, në të kundërt do të kalbet për 100 vite në burg.
Më tej kryebashkiaku i Tiranës sfidon haptazi kryeministrin që të nxjerrë provat mbi aludimet se është ai personi që ka financuar protestat që prej ditësh kanë mbërthyer Tiranën, ndërsa i kërkon që të dorëhiqet.
“Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.
Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai.
Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.
Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave.
Ndryshe ik!
Letra e plotë:
E premte, ora 22:30
Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh.
TG: R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam dhe që personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja.
R ka bypass TG dhe ka urdhëruar vetë transferimin e izolimin me këto 3 kërkesa:
– Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302.
– Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari).
– Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën”, shkruan Veliaj në postimin e tij të bërë pasditen e kësaj të hëne.