Rezarta Shkurta ka reaguar në rrjetet sociale pas komenteve që kanë qarkulluar për njohjen e saj me biznesmenin Ergys Agasi, emri i të cilit është përmendur së fundmi në kuadër të hetimeve të SPAK-ut.
Këngëtarja ka zgjedhur të publikojë një fotografi të vjetër nga koha e shkollës, për të treguar se me Agasin njihet prej vitesh. Sipas saj, ata kanë qenë bashkë që në kopsht dhe më pas kanë ndjekur të njëjtën shkollë deri në klasën e tetë.
Shkurta ka sqaruar se pas kësaj periudhe kanë pasur komunikime telefonike, edhe me familjarët e biznesmenit, për realizimin e disa seteve fotografike familjare. Ajo mohon, megjithatë, të jetë takuar personalisht me të që prej asaj kohe.
“Ergysin e njoh që nga kopshti dhe kemi qenë bashkë në shkollë fillore deri në klasën e tetë. Më vonë kemi komunikuar në telefon, bashkë me familjarë të tij, për realizimin e seteve fotografike familjare të familjes së tij.
Megjithatë, prej asaj kohe nuk jemi takuar personalisht. Nuk e dija që për të pasur miq duhej edhe certifikatë pastërtie nga opinioni publik”, shkruan këngëtarja.
Për të treguar se njohja e tyre daton që në fëmijëri, Rezarta ka publikuar edhe një fotografi të vjetër të klasës, ku shfaqet së bashku me ish-shokët e shkollës.
“Na u bë klasa e famshme. Quiz: Gjeni ku jam unë… dhe ku është Ergysi?”, përfundon ajo.

