Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që u plagos rëndë në sy gjatë protestës kombëtare të studentëve dhe të rinjve në Tiranë, ndodhet në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Për gjendjen e tij ka reaguar edhe gazetari Marin Mema, i cili përmes një mesazhi prekës i ka shprehur mbështetjen mikut të tij.
“Erjon miku im, ata që të njohin nga afër ta dinë zemrën dhe dashurinë për Kombin! Lutem për ty!”, shkruan Marin Mema.
Vishkulli, 28-vjeç, është një emër i njohur për tifozët shqiptarë, pasi është pjesë e grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe njihet për përkushtimin e tij ndaj Kombëtares shqiptare.
Ai u plagos rëndë në zonën e syrit gjatë ditës së 12-të të protestës kombëtare dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Pamjet e publikuara nga protesta treguan të riun me fytyrën e mbuluar nga gjaku, ndërsa raportimet paraprake bëjnë me dije se ai u godit me plumb gome gjatë përplasjeve me efektivët e policisë.
Shqetësimi për gjendjen e tij është shtuar edhe pas dëshmive të disa miqve, të cilët kanë pretenduar në rrjetet sociale se i riu ka humbur njërin sy. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim të pavarur mjekësor që të sqarojë nëse dëmtimi ka sjellë humbjen e shikimit.
Ndërkohë, në raportimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Vishkulli është deklaruar jashtë rrezikut për jetën, por kjo nuk sqaron shkallën e dëmtimit të syrit apo prognozën për shikimin e tij.
Rasti i 28-vjeçarit është ndër më shqetësuesit e regjistruar gjatë protestës, e cila u shoqërua me përplasje të forta, gaz lotsjellës, ujë me presion dhe përdorim të mjeteve të tjera të forcës nga policia.
Mesazhi i Marin Memës i është bashkuar reagimeve të shumta për gjendjen e të riut, ndërsa mbetet në pritje një informacion më i plotë mbi ecurinë e tij shëndetësore pas ndërhyrjes kirurgjikale. Joq