Besmir Beja është shfaqur sot në punë, pavarësisht urdhrit të Edi Ramës që gjithë drejtorët e institucioneve të shumë ministrive të dorëhiqen.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ka vizituar degën doganore të Durrësit, duke inspektuar mjediset e rikonstruktuara.
Lajmi është bërë me dije përmes një njoftimi në kanalin zyrtar të këtij institucioni teksa thuhet se Beja komunikoi me administratën duke i kërkuar angazhim maksimal për përmirësimin e performancës.
“Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një vizitë në Degën Doganore të Durrësit, ku inspektoi mjediset e rikonstrukuara të punës, pas investimit të realizuar.
Drejtori Beja bisedoi me punonjësit e Administratës Doganore dhe kërkoi prej tyre angazhim maksimal për përmirësimin e performancës, shërbimit ndaj qytetarëve e operatorëve ekonomikë dhe realizimin e planit të të ardhurave”, thuhej në njoftimin e Doganave.
Ndërkaq, para dy ditësh kryeministri urdhëroi të gjithë ministrat që t’i kërkonin dorëheqjen drejtorëve të shumë institucioneve në Shqipëri, përfshirë edhe doganat. Por, siç duket Beja vijon ende të jetë në punë, paçka se i pari i qeverisë ka qenë i qartë për largimin e tyre.