Një tërmet me magnitudë 5.7 ka goditur jugun e Italisë këtë të premte, me epiqendër në detin Tirren. Brenda më pak se gjysmë ore, autoritetet kanë regjistruar të paktën pesë lëkundje sizmike në këtë zonë.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali (INGV), lëkundjet e para nisën në orën 11:51, ndërsa tërmeti më i fortë u regjistrua në orën 12:19.
Lëkundja kryesore kishte magnitudë 5.7 dhe epiqendrën në një thellësi prej rreth 9 kilometrash nën sipërfaqen e detit.
Aktiviteti sizmik është ndier edhe në qytetin e Palermos, në ishullin e Sicilisë, ku banorët kanë perceptuar lëkundjet e tokës.
Brenda një intervali të shkurtër kohor, zona është përfshirë nga disa lëkundje të njëpasnjëshme, ndërsa ajo e orës 12:19 rezultoi më e forta nga pesë të regjistruarat.