Naim Murseli ‘var’ shpresat tek Apeli, pasi më 29 tetor, Apeli i Kosovës do të mbajë seancën gjyqësore ku do të shqyrtohet vendimi për burgim të përjetshëm, të vendosur ndaj Naim Murselit, për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj. Ditën e sotme Apeli ka njoftuar për ndryshimin e orarit të seancës gjyqësore lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Sipas njoftimit zyrtar, seanca e caktuar për 29 tetor, bëhet me dije se nuk do të mbahet në orën 09:50, siç ishte paralajmëruar më herët, por në orën 11:10.
Përgjatë reagimit të saj, Gjykata ka theksuar se ndryshim do të ketë vetëm orari, ndërsa data e seancës mbetet e njëjtë.
Vendimi për ndryshimin e orarit është marrë nga Kolegji i Apelit me kërkesë të mbrojtjes së të dënuarit me burgim të përjetshëm, Naim Murselit, pasi në të njëjtën datë dhe orar ata janë të angazhuar për përfaqësim edhe në një çështje tjetër në Gjykatën Supreme.
Kujtojmë se në prill të 2026, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin, për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku e shpalli fajtor Naim Murselin, i cili u akuzua se planifikoi vrasjen e nënës së dy fëmijëve të tij me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj i jetës si shtetase suedeze, një vlerë rreth 260 mijë euro, ngjarje e ndodhur në 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë.
Njoftimi i Apelit:
Njoftim për ndryshimin e orarit të mbajtjes së seancës lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademaj
Prishtinë, 22 tetor 2026-Gjykata e Apelit njofton opinionin publik se seanca gjyqësore për të cilën publiku është njoftuar paraprakisht, lidhur me çështjen penale Pakr.nr.480/2026, e caktuar për datën 29 tetor 2026, në orën 09:50, do të mbahet në një orar tjetër, përkatësisht në orën 11:10.
Ndryshimi ka të bëjë vetëm me kohën e mbajtjes së seancës, ndërsa data e saj mbetet e pandryshuar. Bëjmë me dije se Kolegji i Apelit e ka ndryshuar orarin e kësaj seance me kërkesë të palës mbrojtëse të të dënuarit N.M., ngase i njëjti në datë dhe orar të njëjtë është i angazhuar për përfaqësim edhe në një çështje në Gjykatën Supreme.