Detaje të reja kanë dalë për sa i përket ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Agonas të Kavajës, ku si pasojë e një konflikti mes dy vëllezërve ka humbur jetën njëri prej tyre, 74-vjeçari Eqerem Rreshka.
Sipas raportimeve, viktima kishte shkuar për të marrë dengje bari me zetor në arë, ku pasi i kishte ngarkuar, gjatë kthimit ishte takuar me vëllain e tij më të madh, Muharrem Rreshka, 76 vjeç që është edhe autori i vrasjes. Burimet bëjnë me dije se 76-vjeçari i kishte thënë vëllait të mos kalonte në atë rrugë, ndërsa 74-vjeçari e kishte shtyrë me zetor.
Pas konfliktit verbal, 76-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllain e tij 3-4 herë. Ndërkohë, nga burimet mësohet se autori ka shprehur pendesë pas ngjarjes. Gjithashtu, mësohet se 76-vjeçari ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mbrëmje në fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt familjar ka përfunduar me vrasje.
Rreth orës 20:30, gjatë kohës që ndodheshin në një arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë, dyshohet se 76-vjeçari, ka goditur me thikë vëllain e tij, 74 vjeç.
Fillimisht i plagosuri është transportuar menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, por për shkak të plagëve të marra ka humbur jetën rrugës.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë kapur autorin e dyshuar, të cilin e kanë shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.
