Mesditën e kësaj të enjte, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është ulur në tryezë me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë të cilat u dëmtuan gjatë protestave studentore që janë mbajtur prej më shumë se një jave në Tiranë.
Të pranishëm në takimin e sotëm janë parë dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Ministri i Financave Petrit Malaj dhe Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, kryeministri theksoi se dhuna ka qenë e orkestruar dhe se prapa maskave të personave që protestojnë nuk fshihen studentët por kapuçone.
“Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju, pas një histerie dhune që mori peng Tiranën, duke krijuar idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte para gjithë Shqipërinë. Nga ne s’ka asnjë lëshim.
Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të jashtëm. Po ndodh edhe në kryeqytete të tjera të Europës përmes një lëvizjeje marksiste neokomuniste që quhet ‘Antifa’.
Vajza dhe djem të ekstremizuar që bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe nga ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar. Pastaj ato kanë një mbështetje nga forca të huaja që kanë synim destabilizimin e Europës. Këta elementë nuk janë studentë. Ajo pjesë nuk është nxitëse e mbështetëse e dhunës.”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri shprehu solidaritetin e tij për shkatërrimin e bankave të nivelit të dytë, ndërsa tha se qeveria shqiptare është e gatshme për t’i dhënë zgjidhje situatës. Me keqardhje për situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi, kryeministri tha se Banka e Shqipërisë nuk ishte sulmuar as në 1997-ën.
“Jam këtu për t’ju shprehur solidaritetin në këtë moment kritik që po kalojmë. Kjo do të kalojë dhe ka shumë detyra për të bërë ne si qeveri. Ka detyra të atyre që janë në protestë protestë paqësisht. Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në 1997-ën, tani i kanë thyer xhamat me gurë.
Ne do t’i adresojmë problemet duke i sjellë një për një detyrat. Sot në qeveri kemi kaluar për parlamentin ligjin e strehimit social të përballueshëm. Adreson problematikën e studentëve, sepse që në programin e qeverisë ne e materializuam këtë draft, duke krijuar një qasje krejt të re në raport me rritjen e çmimeve. Do të paguajmë edhe 50% të qerasë për ata studentë që plotësojnë kriteret e vendosura.”, shtoi më tej Rama.