Gjatë marshimit, pedagogët kanë bërë thirrje se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre, duke kërkuar mbështetje të vazhdueshme për studentët dhe kundërshtuar dhunën ndaj tyre.
Pedagogët dëgjohen duke thirrur “Dorëheqje”, në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Një nga kërkesat e tyre është që tubimet në mbështetje të studentëve të vijojnë çdo ditë në orën 10:00, për të shprehur solidaritetin me ta.
Pas marshimit, studentë, pedagogë, akademikë dhe qytetarë të tjerë janë mbledhur para Kryeministrisë, ku kanë refuzuar thirrjen për dialog të përcjellë nga drejtoresha e MIA-s, Manjola Hasa.
Protestuesit kanë vijuar thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa mes sloganeve që dëgjohen para godinës së qeverisë është edhe “Arrestoni Ramën!”. Ata kërkojnë gjithashtu lirimin e studentëve të ndaluar.
“Pa rini nuk ka Shqipëri” është një tjetër thirrje e protestuesve, të cilët vijojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë, duke shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe duke këmbëngulur në kërkesat e tyre.
Pedagogët dhe studentët kanë bërë të qartë se nuk pranojnë dialogun në këto kushte dhe se do të vijojnë të protestojnë në mbështetje të studentëve dhe kërkesave të tyre.