Anisa Mollaj është emëruar në postin e nënkryetares së Bashkisë Lezhë, në një lëvizje të bërë nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu. Lajmi është bërë publik përmes një njoftimi në kanalin zyrtar të institucionit.
Përpara këtij emërimi, Mollaj ka mbajtur detyrën e këshilltares së kryebashkiakut Ndreu. Njoftimi për ndryshimin në drejtimin e bashkisë vjen në një ditë kur vëmendjen në vend e kanë marrë protestat e zhvilluara në Tiranë, të cilat u shoqëruan me përplasje dhe akte dhune.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Bashkia Lezhë ka bërë të ditur emërimin e Mollajt, duke dhënë edhe detaje mbi angazhimin e saj të mëparshëm pranë kryebashkiakut.
“Anisa Mollaj emërohet Nënkryetare e Bashkisë Lezhë!

Sot, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka emëruar në detyrën e Nënkryetares së Bashkisë, znj. Anisa Mollaj.
Deri në këtë emërim, znj. Mollaj mbante detyrën e këshilltares në kabinetin e Kryetarit të Bashkisë.
Në këtë detyrë, ajo zëvendëson znj. Eueda Molla, e cila do të vijojë kontributin e saj në një detyrë tjetër.
Duke falënderuar znj. Eueda Molla për punën dhe përkushtimin e treguar, i urojmë znj. Anisa Mollaj suksese në përgjegjësinë e re dhe punë të mbarë në shërbim të qytetarëve të Lezhës!”, shkruhej në njoftim.
