Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një mesazh të qartë dhe të prerë deputetëve socialistë këtë të enjte, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, duke i paralajmëruar se kush nuk voton reformën territoriale, nuk ka më vend në Partinë Socialiste.
“Kush nuk voton reformën territoriale sot le të iki”, citohet të jetë shprehur Edi Rama, sipas asaj që ka mësuar gazetari Muhamed Veliu nga burime brenda grupit.
Edhe lideri demokrat Sali Berisha ka paralajmëruar në nisje të seancës plenare, se mbledhja e Grupit të PS është shoqëruar me debate të forta dhe kërcënime të hapura ndaj deputetëve që mund të votojnë kundër shkrirjes së bashkive.
Sali Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama, sipas tij, u është drejtuar me libër shtëpie deputetëve, në mënyrë që ata të mbështesin reformën. Për deputetët e vetë, lideri demokrat tha se nga opozita nuk do të ketë asnjë rrjedhje vote.
Mediat pranë selisë së Kuvendit raportojnë se deputeti socialist i Vlorës, Vullnet Sinaj, i cili në Komisionin e Ligjeve ka votuar kundër shkrirjes së 15 bashkive, mes tyre dhe ajo e Selenicës nga është origjina e tij, sot ka vendosur të votojë pro.
Bashkë me Erion Braçen, ai ishte i dyti që ende nuk kishte vendosur dhe mund t’i prishte punë Partisë Socialiste, sepse më herët e larguara Marjana Koçeku ka thënë se edhe ajo do të votojë kundër.
Tani që Vullnet Sinaj ka ndryshuar mendim, pritet se çfarë do të bëjë socialisti tjetër Erion Braçe. Deri këtë paradite, ai nuk ka mbajtur një qëndrim të prerë, nëse do të votojë PRO apo Kundër shkrirjes së 15 bashkive.
