Gazetarja Anila Hoxha ka zbardhur detaje nga udhëtimi dhe dorëzimi i ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe lidhur me provat dhe komunikimet që dyshohet se janë administruar gjatë hetimeve të lidhura me Ergys Agasin.
Hoxha tha se një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me provat dixhitale të administruara pas arrestimit të Agasit.
Sipas gazetares, dyshohet se në telefonin e tij janë gjetur komunikime me Vlora Hysenin dhe Embro Sulejmanin gjatë kohës kur Agasi ishte në kërkim.
“Në këtë rrethanë të vështirë me 2 vepra penale, dhënie ndihme autorit dhe nxjerrja e akteve sekrete është edhe ish kreu i SHISH, për të cilën pretendohet se në telefonin e Agasit ka biseda me Vlora Hysenin dhe Embro Sulejmanin kur ishte Agasi në kërkim. Këto të dhëna ka dyshime nga SPAK, janë në vazhdën e komunikimeve kur Agasi ishte në kërkim”, tha ajo.
Anila Hoxha foli edhe për udhëtimin e Hysenit dhe mënyrën se si ajo mbërriti në Kosovë, përpara se të dorëzohej te autoritetet.
“Vetëdeklarimi i saj do të tregojë si ka ndodhur udhëtimi, si ka mbërritur në Kosovë dhe vetë dorëzimi. Përse procedurialisht duhet të trokiste policia në shtëpinë e Vlora Hysenit kur dihej nga sistemi TIMS që kreu i SHISH nuk ndodhej në shtëpi. Disa veprime hetimore nuk lënë shteg që të kryesh veprime të tjera kur e ke provën”, u shpreh ajo.
Hoxha theksoi se administrimi i provave dixhitale dhe komunikimeve të sekuestruara mund të sjellë zhvillime të tjera në hetim.
“Me administrimin e disa provave të tjera, prova dixhitale, ose bisedat në telefona në muajin gusht gjatë arrestimit të Ergys Agasit gjasat do të jenë që do të jenë persona të tjerë që do të jenë në vështirësi përpara gjykatës”, shtoi ajo.
Një tjetër element për të cilin foli gazetarja lidhet me Embro Sulejmanin, i cili dyshohet se ka ndihmuar Agasin gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në kërkim.
“Për Embro Sulejmanin dyshohet se ka përkrahur Ergys Agasin, ky shtetas dyshohet kur Agasi porosiste ushqime dhe kërkonte ndihma të tjera, Embro punonte si kryekamarier e ka asistuar Agasin me ushqime”, theksoi Hoxha.
Hoxha solli gjithashtu detaje mbi vendin ku dyshohet se mund të ketë qëndruar Agasi gjatë kohës që kërkohej nga autoritetet.
“Në aspektin jo zyrtar, shumë i klasifikuar me një vendim gjyqësor që e ndalon të publikohet SPAK dyshon se Agasi fshihej në një zonë në qytetin e Durrësit, në zonën e njohur si vilat qeveritare”, tha ajo.
Gazetarja u ndal më tej te dyshimet që lidhen me Fatjon Kalluçin, shefin e Laboratorit Shkencor të Policisë, dhe të dhënat që pretendohet se mund t’i jenë kaluar Agasit.
“Ndërkohë ka dyshime se gjatë një ekspertimi të laboratorit shkencor kur SPAK do ia kalonte këto të dhëna prokurorisë, këto të dhëna sekrete Fatjon Kalluçi, shefi i laboratorit shkencor të policisë, ia ka kaluar Agasit. Ndërsa versioni zyrtar është që këto hetime janë në vazhdën e hetimeve të 2025 që kanë lidhje me dosjen e AKSHIT”, vijoi ajo.
Hoxha foli gjithashtu edhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke theksuar se në momentin e deklaratës nuk kishte një status procedural të përcaktuar për të.
“Për Prodën ende nuk ka një status të caktuar”, tha Hoxha.
