Shqiptarët, sidomos ata që jetojnë në Amerikë, janë familjarizuar tashmë me historinë e këngëtares së madhe, Parashqevi Simaku, përfshirë këtu dhe Mira Konçin.
Në emisionin “Rudina”, Tv Klan, Konçi ndau detaje nga ndjesitë e saj ndaj kësaj historie, si dhe takimin që zhvilloi me artisten.
Fillimisht, Konçi u shpreh se ka pasur zëra që Simaku nuk ishte në gjendje të mirë, por nuk ka pasur kontakte me të.
“Kisha dëgjuar që nuk është mirë, kaq”, tha ajo.
Këngëtarja rikujtoi bashkëpunimin e bërë me Simakun në Shqipëri, përpara se rrugët e tyre të ndaheshin.
“Parashqevia, po nuk gaboj, ka shkuar në Amerikë diku nga ’96-a, ku ka qenë në kulmin e festivaleve këtu dhe ajo patjetër është larguar. Nuk e di…
Unë personalisht, me të, kemi qenë në një tur koncertesh me orkestrën e Radio Televizionit, pas koncertit që bëra unë në ’90-ën.
E kemi bërë një turne të gjatë në Maqedoninë e Veriut. Kemi qenë bashkë të dyja. Por në përgjigjen e pyetjes tuaj, Fadili më merr në telefon dhe më thotë: “Kam Parashqevinë, i kam bërë një sesion fotografik edhe do kisha shumë dëshirë të vije”, tha ajo.
Konçi sqaroi se takimi me Parashqevinë Simaku u zhvillua falë fotografit, Fadil Berisha, ku dhe dyshja artistike rikujtoi kohërat e vjetra.
“Po, dhe aty jemi takuar dhe kemi kujtuar turnetë që kemi bërë bashkë. Sigurisht ishte tronditëse, po nuk e kam ditur sepse madje ku lexoja ndonjë koment sot që thonte që ajo ka qenë aty, Mira. Unë kam qenë totalisht pa informacion fare. Absolutisht një keqardhje ekstreme. Mirëpo u takova aty dhe s’mund të jetë tjetër se ti t’i thuash çfarë ndodhi, çfarë s’ndodhi. Ti aty shkon me idenë që gjithçka ka kaluar…”, u shpreh ajo.
