Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka zbërthyer prapaskenat e ardhjes së ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë, gjeneralit Eric Wendt, duke paralajmëruar lëvizje të mëdha gjeopolitike. Sipas tij, ky nuk është një mision i zakonshëm diplomatik, por një mandat i qartë për çmontimin e kartelave të drogës, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit. Ngjela thekson se prania e një figure të lartë ushtarake tregon përparësinë absolute që Uashingtoni i ka dhënë riorganizimit modern të ushtrisë shqiptare. Me këtë skemë, Shqipëria dhe ushtria amerikane pritet të forcojnë pozicionet e tyre ushtarake drejtpërdrejt në territorin shqiptar.
Synimi përfundimtar është shndërrimi i ushtrisë shqiptare në forcën më të fuqishme ushtarake në Ballkanin Perëndimor. Ky investim strategjik shërben gjithashtu si një platformë moderne për realizimin e bashkimit kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, avokati vë gishtin mbi pengesën kryesore politike, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama mund të bëhet pengesa më e madhe e këtij projekti historik.
Nëse kjo linjë politike vazhdon, Ngjela paralajmëron se Rama ndodhet në një gabim të rëndë historik. Për këtë arsye, ai kërkon largimin e menjëhershëm të kryeministrit nga politika e lidhur me qarqet antishqiptare në Evropë. Kjo deklaratë e fortë e avokat Spartak Ngjelës ka trazuar ujërat në Tiranën zyrtare, ku ardhja e diplomacisë ushtarake amerikane po shihet me alarm nga elita politike.
Reagimi i z. Ngjela
“Tirana po pret ambasadorin e ri amerikan në një atmosferë që mban brenda vetes dy fakte kryesore, që dalin nga këto dy pyetje? Pse duhej të vinte si diplomat i lartë në Tiranë një gjeneral ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës? A do jemi brenda riorganizimit modern të ushtrisë shqiptare? Por, pikërisht kjo tregon se Ambasadori amerikan Eric Wendt nuk vjen thjesht në Shqipëri për të administruar marrëdhëniet mes dy qeverive. Ai vjen me një mandat ku, sipas deklarimeve të tij para Senatit amerikan, në qendër qëndrojnë korrupsioni, krimi i organizuar ndërkombëtar dhe trafiku i drogës në Shqipëri.
Por në një aspekt të dytë të rëndësisë së veçantë, kuptohet se duhet të jetë riorganizimi modern i ushtrisë shqiptare ai që mendohet se do të ketë përparësi. Dhe prandaj, po ta shohësh me një sy profesional këtë, kuptohet se Shqipëria dhe ushtria amerikane pritet të jenë të përforcuara në një aspekt ushtarak të nivelit të lartë, në territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo pritej. Dhe, nga politika që ka kaluar, e kupton se ushtria shqiptare do të vijojë të krijohet për të qenë edhe një herë tjetër ushtria më e fortë në Ballkanin Perëndimor.
Dhe kjo sigurisht që do të jetë një skemë moderne për bashkimin kombëtar shqiptar: Shqipëri – Kosovë. Por tani kuptohet se pengesa më e madhe i këtij bashkimi kombëtar, mund të jetë Edi Rama. Por, nese kjo vijon, Rama është në një gabim historik, dhe prandaj ai duhet te largohet sa më parë nga politika e qarqeve antishqiptare në Evropë”, shkruan avokat i njohur, Spartak Ngjela në rrjetet sociale.
