Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Billings, në Montana të SHBA-së, ku një 44-vjeçar dyshohet se vrau tetë anëtarë të familjes së tij, mes tyre edhe katër fëmijë.
Policia mbërriti në banesë pas raportimit për të shtëna me armë. Efektivët dëgjuan të shtëna që vinin nga pjesa e pasme e shtëpisë, e cila pak më vonë u përfshi nga flakët.
I dyshuari, Alan Smith, kishte jetuar më parë me prindërit në këtë banesë, por familjarët i kishin kërkuar të largohej disa javë përpara ngjarjes. Sipas të dhënave të bëra publike, ai u kthye të dielën, në momentin kur familja ishte mbledhur për darkën e përjavshme.
Mes viktimave ishin Owen Ireland, 13 vjeç, Chloe Ireland, 7 vjeç, Landon Ghekiere, 15 vjeç dhe Charlotte Ghekiere, 12 vjeç.
Viktimat i përkisnin katër brezave të së njëjtës familje, nga një stërgjyshe në të 90-at, e cila përdorte karrocë me rrota, deri te fëmijët e vegjël.
Hetuesit kanë konfirmuar tetë viktima dhe kanë bërë të ditur se Smith dyshohet se ka qëlluar edhe veten. Zjarri që përfshiu banesën e shkatërroi atë plotësisht, duke e vështirësuar edhe punën e autoriteteve në vendngjarje.
Një prej detajeve më prekëse lidhet me 12-vjeçaren Charlotte, e cila, sipas familjarëve, telefonoi 911 dhe u përpoq të kërkonte ndihmë për familjen e saj. Të afërmit e kanë cilësuar atë si një heroinë.
Familjarët kanë treguar gjithashtu se Smith ishte një person i izoluar dhe kalonte pjesën më të madhe të kohës në dhomën e tij përpara kompjuterit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota që çuan në këtë tragjedi.
