Televizioni News 24 i biznesmenit Irfan Hysenbelliu po kalon krizën më të madhe financiare dhe sa i përket burimeve njerëzore që nga themelimi. I kthyer prej dy muajsh në zëdhëdhënës dhe zgjatim i Revolucionit të Flamingove, i dobësuar fianciarisht për shkak të luftës së Fanes me qeverinë, News 24 po përballet këto ditë me largime masive të gazetarëve, moderatorëve dhe drejtuesve, ndërsa tre emisiomet kryesore ‘Kjo javë‘ me moderatore Nisida Tufa, ‘Në shenjestër‘ me moderatore Klodiana Lala dhe ‘Studio 24′ nga Ola Bruko nuk transmetohen prej disa javësh.
Sipas burimeve, gazetarja dhe moderatoja Ola Bruko ka dhënë dorëheqjen nga News 24. Pas dorëheqjes, Ola Bruko ka nisur të interesohet në disa televizione të tjera private. Gjithashtu mësohet se ka dhënë dorëheqjen Anila Çelaj, e cila moderonte emisionin e përditshëm “Vila 24” në televizionin News 24.
Dorëheqjen mësohet se e ka dhënë edhe Shpend Gashi, i cili moderonte emisionin ‘Oponencë’ në News 24, në bashkëpunim me gazetaren Anduena Llabani. Me largimin e Gashit, i cili ka qenë aktiv me Revolucionin e Flamingove, vihet në dyshim edhe vijueshmëria e emisionit të Llabanit.
Sipas burimeve, ka dhënë dorëheqjen edhe moderatorja dhe spikërja e lajmeve në News 24, Çenkuela Hasa. Përflitet se ka paraqitur dorëheqjen edhe drejtoresha e informacionit në News 24, Anila Jole. Nga News 24 përflitet se do të largohet edhe Zonja Pretenca. Kjo e fundit deklaroi largimin në gusht 2024, madje mori edhe një ofertë publikisht nga Çim Peka për t’iu bashkuar Syrit TV, por Zonja Pretenca ndryshoi mendje.
Shkaku i largimeve masive nga News 24 besohet se konsiston tek mungesa e korrektësisë së vazhdueshme nga ana e Fanes për dhënien e pagave për gazetarët. Por nuk përjashtohet një plan i Fanes për t’a shitur televizionin. Fania pretendon për një vlerë 40 milionë euro, por ofertat serioze janë 5-6 milionë euro.
