Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, ka vendosur masa të menjëhershme ndaj strukturave të Policisë së Himarës, pas zbulimit të një objekti 5-katësh të ndërtuar pa leje në zonën e Sugës, në Qeparo.
Me urdhër të Hitës, katër punonjës policie që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është kryer ndërtimi janë pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor. Mes tyre është edhe ish-shefi i Komisariatit të Policisë Himarë, i cili aktualisht ushtronte detyrën në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
– Nënkomisar Ferit Merkaj ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
– Komisar Emiljano Prenga ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;
– Nënkomisar Klodjan Petani ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Inspektor Redin Çaushaj me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.
Bëhet fjalë për një ndërtesë me katër kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, e cila sipas verifikimeve paraprake ka nisur të ndërtohet në dhjetor të vitit 2025. Pavarësisht zhvillimit të punimeve, nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave që po e kryenin atë.
Rasti u zbulua nga shërbimet e Policisë së Himarës dhe në flagrancë u arrestua pronari i objektit, Lulzim Bujari. Ndërkohë tre punonjës të IMT-së Himarë, përfshirë kryeinspektorin dhe dy inspektorë, u shpallën në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në terren ndërhyri IKMT qendrore, e cila kreu shembjen e objektit pa leje dhe paralajmëroi referimin e rastit në Prokurori.
Sipas verifikimeve të IKMT-së, pronari ka pretenduar se kishte pasur më herët një objekt dykatësh, me një kat nëntokë dhe se kishte aplikuar për legalizimin e tij. Megjithatë, gjatë një periudhe të shkurtë ndërtimi ishte zgjeruar me tre kate të tjera duke e çuar objektin në pesë kate në total.
Njoftimi i Plotë i Policisë:
Policia e Shtetit/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezullon nga detyra gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo, Himarë
Në vijim të masave të marra për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:
– Nënkomisar Ferit Merkaj ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
– Komisar Emiljano Prenga ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;
– Nënkomisar Klodjan Petani ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Inspektor Redin Çaushaj me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.
Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.
Ky shtetas u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe 2 inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.
Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë dhe largojë nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën, abuzon me të dhe cenon besimin e qytetarëve.
