Një aksident i trefishtë rrugor është regjistruar mesditën e sotme në aksin nacional Sarandë–Ksamil, në afërsi të vendit të njohur si Manastir.
Tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, ndërsa si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur dy turistë spanjollë. Menjëherë pas ngjarjes në vendngjarje mbërritën ambulanca dhe shërbimet e Policisë, të cilat u angazhuan për dhënien e ndihmës dhe administrimin e situatës.

Të lënduarit janë identifikuar si Jove Pibrall Jove, 24 vjeç, dhe Catia Picac, 37 vjeç, shtetas spanjollë që ndodheshin në Sarandë për pushime.

Sipas personelit mjekësor të Urgjencës së Sarandës, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime në pjesën e mesit të trupit dhe, për shkak të gjendjes së tij, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Ndërkohë, 37-vjeçarja ka marrë dëmtime në kokë dhe po trajtohet në Spitalin e Sarandës.
Shkaqet e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura. Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e përplasjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë, ndërsa nga aksidenti janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në automjetet e përfshira.
