Një ngjarje e bujshme ka tronditur opinionin sportiv dhe jo vetëm… Ish-futbollisti i njohur i Superiores dhe i Kombëtares shqiptare, Olgerd Muka, është arrestuar nga policia franceze në qytetin e Dizhonit, pasi akuzohet për shpërndarje dhe tregtim të lëndëve narkotike, konkretisht kokainë.
Autoritetet franceze e kishin vënë nën vëzhgim 46-vjeçarin për më shumë se dhjetë ditë. Pas mbikëqyrjes së vazhdueshme, policia ka ndaluar Mukën në flagrancë së bashku me një tjetër shtetas shqiptar teksa po shpërndanin doza kokaine brenda një parku në Dizhon.
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Olgerd Muka ka qenë një emër i njohur në kampionatin shqiptar, ku ka mbajtur veshur fanellën e disa prej skuadrave më tradicionale si Partizani, Teuta, Dinamo, Besa, Flamurtari, Bylis dhe Lushnja e po ashtu ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi në disa ndeshje miqësore.

