Sipas raportimeve të mediave britanike, përfshirë BBC, ngjarja ndodhi të dielën, ndërsa shërbimet emergjente mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes pas njoftimeve për një konflikt ku ishin përdorur mjete prerëse. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore, 22-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Lidhur me rastin, policia britanike ka arrestuar dy gra 25-vjeçare dhe një burrë 28-vjeçar, të cilët dyshohen për përfshirje në vrasje. Më vonë, njëra nga gratë është liruar me kusht, ndërsa hetimet ndaj personave të tjerë vazhdojnë.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi Lorik Abazi, 22 vjeç, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga një sulm me thikë në zonën e Croydon, në jug të Londrës.
Gjatë të njëjtit incident, autoritetet kanë bërë të ditur se edhe dy të rinj 21-vjeçarë janë gjetur me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse. Njëri prej tyre ndodhet ende në spital në gjendje të rëndë, me lëndime që konsiderohen potencialisht kërcënuese për jetën, ndërsa tjetri ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është liruar nga spitali, për t’u vendosur në paraburgim.
Rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike mbeten ende të paqarta. Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin e konfliktit dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.
Policia Metropolitane u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë qenë dëshmitarë të ngjarjes ose të disponojnë pamje nga kamerat e sigurisë, regjistrime nga telefonat apo çdo informacion tjetër të dobishëm, që ta ndajnë me autoritetet për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje sapo të avancojë procesi hetimor.
