Policia britanike ka bërë të ditur identitetin e personit që humbi jetën pasi u gjet i pajetë në Compton Road, në Leicester. Viktima është identifikuar si Ervin Lita, 28 vjeç, i njohur gjithashtu me emrin Ervin Axhami.
Ervini u gjet pa shenja jete në rrugë në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 12 korrik. Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje pas një njoftimi të marrë në orën 06:58 nga ambulanca, por 28-vjeçari u shpall i vdekur në vend.
Pas ngjarjes, policia nisi një hetim për vrasje. Dy persona, një 36-vjeçar dhe një 27-vjeçar, të dy banues në Leicester, u arrestuan nën dyshimin për përfshirje në vrasje. Ata janë liruar më pas me garanci policore, ndërsa hetimet vijojnë.
Autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar se si Ervin Lita përfundoi në rrugë. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, po kryejnë ekzaminime forenzike dhe po marrin dëshmi nga persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Familjarët e Ervin Litës po mbështeten nga oficerë të specializuar, ndërsa policia vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
