Një dramë e vërtetë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fluturimin e kompanisë „Ryanair“ nga aeroporti i Selanikut „Maqedonia“ drejt Mynihut. Incidenti, i cili i tronditi pasagjerët, ka ndodhur menjëherë pas ngritjes së avionit.
Gjatë fluturimit është dëgjuar një zhurmë e fuqishme, pas së cilës është çarë njëra nga dritaret e avionit, ka deklaruar njëri nga pasagjerët për portalin rthess.gr.
Presioni në kabinë ka rënë dhe janë aktivizuar maskat e oksigjenit. Sipas dëshmitarëve, momenti më kritik ka qenë kur pasagjeri që ishte ulur pranë dritares së thyer është tërhequr nga forca e ajrit. Shpatullat e tij tashmë kishin dalë jashtë avionit, kur pasagjerët që ishin ulur pranë tij filluan ta tërhiqnin prapa. Mes tyre ishte edhe bashkëshortja e tij, e cila e mbante nga këmbët, transmeton Pa Censurë.
“Pasagjeri u shpëtua sepse kishte të vendosur rripin e sigurisë”, kanë deklaruar dëshmitarët për Radio Selanikun.
Piloti menjëherë ka ndryshuar drejtimin e fluturimit dhe ka kërkuar ulje emergjente, pas së cilës avioni është ulur në mënyrë të sigurt.
Sipas informacioneve të fundit, shtetasi serb i lënduar është dërguar në spital me autoambulancë për shkak të një lëndimi në qafë. Ndihmë mjekësore i është dhënë edhe një gruaje shtatzënë që ndodhej në avion.
“U dëgjua një zhurmë sikur të kishte shpërthyer një gomë. Pati panik me britma, ulërima dhe zëra sepse menjëherë humbëm lartësinë nga dekompresimi. Për një moment mendova se dikush e kishte hapur aksidentalisht derën e emergjencës. Stjuardesat e humbën. Ne të gjithë menjëherë vendosëm maskat. Na u duk sikur kaloi shumë kohë para se të kuptonim se çfarë po ndodhte.”
