Luigi Cavallari u hodh në ujë për t’u freskuar, por nuk doli më në sipërfaqe. Operacioni i kërkimit po vazhdon prej orësh në Liqenin e Vicos.
Momente ankthi në Itali, ku Luigi Cavallari, bashkëshorti i ministres për Familjen, Natalitetin dhe Mundësitë e Barabarta, Eugenia Roccella, rezulton i zhdukur në Liqenin e Vicos, në provincën e Viterbos.
Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, rreth orës 17:30. Sipas informacioneve paraprake, Cavallari ndodhej në një varkë të vogël së bashku me bashkëshorten, kur u hodh në ujë për t’u freskuar. Ai doli për pak çaste në sipërfaqe dhe thuhet se u ankua se nuk ndihej mirë, por më pas u zhduk nga sytë e të pranishmëve.
Varka, e cila nuk ishte e ankoruar, ishte larguar nga vendi dhe personat në bord nuk arritën ta ndihmonin në kohë. Ishte vetë ministrja Roccella ajo që dha alarmin, pasi nuk e pa më bashkëshortin të dilte në sipërfaqe.
Menjëherë u aktivizuan operacionet e kërkim-shpëtimit. Në zonë ndodhen zhytës të zjarrfikësve dhe karabinierëve, ambulanca të shërbimit 118 dhe një helikopter, ndërsa kërkimet po përqendrohen në vendin ku Cavallari u pa për herë të fundit.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe autoritetet lokale për të koordinuar operacionin, ndërsa ministrja është shoqëruar në banesën e familjes në zonën e Viterbos.
Karabinierët po mbledhin dëshmi për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes. Liqeni i Vicos është një zonë shumë e frekuentuar gjatë fundjavave dhe edhe në të kaluarën janë regjistruar raste mbytjeje.
Luigi Cavallari është profesor universitar në fushën e arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit. Ai dhe Eugenia Roccella janë të martuar që nga viti 1976 dhe kanë dy fëmijë. Vetëm pak muaj më parë, çifti festoi 50-vjetorin e martesës.
Ndërkohë, drejtues politikë italianë kanë shprehur solidaritet me ministren dhe familjen e saj, duke shpresuar që operacionet e kërkimit të sjellin një rezultat pozitiv.
