Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur sot pretencën për çështjen e njohur si “Sterilizimi”, duke kërkuar dënime të ashpra për disa zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të implikuar në këtë aferë korruptive.
Sipas kërkesës së SPAK, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, duhet të dënohet me 10 vjet burg. Duke qenë se ai ka kërkuar gjykim të shkurtuar, dënimi i tij do të reduktohet në 6 vjet e 8 muaj burg. SPAK ka kërkuar të njëjtin dënim prej 10 vjetësh burg edhe për biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili gjithashtu nëse dënohet, do të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 6 vjet e 8 muaj burg.
Për të pandehurën Marsela Serjani, SPAK ka kërkuar një dënim prej 3 vjet e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar do të ulet në 2 vjet e 4 muaj burg. Ndërsa për Arben Gjatën, kërkesa e prokurorisë është 2 vjet burg, e cila me gjykim të shkurtuar do të reduktohet në 1 vit e 4 muaj burg dhe do të pezullohet me 3 vite shërbim prove.
SPAK ka kërkuar gjithashtu 2 vjet burg për Genc Burazerin, që me gjykim të shkurtuar do të ulet në 1 vit e 4 muaj dhe do të pezullohet me 2 vite shërbim prove. Të njëjtin dënim 2-vjeçar e ka kërkuar prokuroria e posaçme edhe për të pandehurën Naile Ajazi.
Ky proces penal po zhvillohet i ndarë nga ai ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ndryshe nga tetë të pandehurit e tjerë që kanë zgjedhur gjykimin e shkurtuar, Beqaj ka preferuar të përballet me një proces gjyqësor të zakonshëm. Ky veçim i dosjes ka ndarë në dy gjykime të ndryshme edhe ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, të cilët akuzohen si anëtarë të grupit kriminal të ish-ministrit. Akuzat ndaj të treve u rikualifikuan gjatë shqyrtimit paraprak, me sugjerim të gjykatës, pasi fillimisht SPAK kishte kërkuar gjykimin e tyre për “shpërdorim të detyrës”, e njëjta akuzë për të cilën po gjykohen gjashtë të pandehurit e tjerë. Çështja penale ndaj Beqajt pritet të hidhet sërish në short për vazhdimin e procesit.
Sipas SPAK, veprat penale të kryera nga të akuzuarit në të dyja çështjet kanë të bëjnë me lidhjen e kontratës 100 milionë euro të Sterilizimit. Ish-ministri Beqaj dyshohet se ka nënshkruar kontratën në kundërshtim me ligjin, duke u bazuar në të dhëna të pavërteta në studimin e fizibilitetit dhe pa shmangur konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili rezultoi fitues i koncesionit. Kërkesa e sotme e SPAK për dënime të rënda tregon seriozitetin e prokurorisë në zbardhjen e kësaj afere korruptive që ka dëmtuar interesat e shtetit.