Një operacion masiv kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar në ujërat detare shqiptare pas zhdukjes së një personi nga trageti ndërkombëtar “AKKA”. Përpjekjet janë nën koordinimin e Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit dhe po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur ndërsa trageti, që udhëtonte nga Greqia drejt Italisë, po kalonte përmes ujërave detare shqiptare. Njoftimi për personin e rënë në det u dha menjëherë, duke detyruar një reagim të shpejtë dhe të gjerë nga të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe ato të sigurisë.
Kërkimet me intensitet janë zhvilluar gjatë gjithë së dielës, duke mbuluar një zonë të gjerë nga Kepi i Stillos në jug, deri në grykëderdhjen e lumit Seman në veri.
Në operacion janë angazhuar një numër i madh mjetesh dhe efektivësh:
- 1 Dron TB2 i Forcave Ajrore për vëzhgime ajrore.
- 1 Helikopter UH-60 i Forcave të Armatosura me 3 efektivë, për kërkim nga lart.
- 1 Anije patrulluese P05 e Forcës Detare me 4 efektivë.
- 1 Motor uji me 2 efektivë.
- 4 Mjete patrullimi të Policisë Kufitare me 13 efektivë.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional e ndërkombëtar, operacioni deri më tani nuk ka dhënë rezultat. Kërkimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, por shpresat për gjetjen e personit të zhdukur po zbehen me kalimin e orëve.