Një operacion i bujshëm ndërkombëtar që synonte shkatërrimin e organizatës kriminale shqiptare të njohur si “Pojët”, me bazë në Durrës dhe të lidhur me trafikun ndërkombëtar të kokainës, ka ngritur seriozisht dyshime për dekonspirim dhe zvarritje të qëllimshme në Shqipëri.
Hetimet e drejtësisë italiane kishin përfunduar që më 21 shkurt 2025, datë në të cilën Gjykata e Barit kishte firmosur urdhër-arrestet për pjesëtarët e organizatës. Por pavarësisht faktit që masa e sigurisë ishte e gatshme për t’u zbatuar, në Shqipëri arrestimet nisën vetëm pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, pra rreth 3 muaj me vonesë, çka ka ngritur alarmin mbi ndërhyrje politike apo mbrojtje nga strukturat shtetërore.
Në qendër të hetimit dhe urdhrave për arrestim qëndron familja Troplini nga Shkozeti, që sipas prokurorisë italiane drejtonte një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të kokainës drejt Italisë. Emri i saj ishte përmendur edhe në skenën politike shqiptare, pasi opozita kishte akuzuar publikisht se grupi i Troplinëve po mbështeste financiarisht kandidatë të Partisë Socialiste, në lista të hapura dhe të mbyllura, duke i siguruar atyre përkrahje logjistike dhe financiare.
Një tjetër pikë e nxehtë është moskapja e kreut të organizatës, Elvis Docci, i njohur si “Visi i Pojëve”, i cili u shpall në kërkim pasi i shpëtoi arrestimit, ndonëse sipas logjikës procedurale, duhej të ishte prej kohësh nën mbikëqyrje nga autoritetet shqiptare, menjëherë pas lëshimit të urdhrave nga Italia.
Gazetari Eni Ferhati pyeti drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin, për arsyet e këtij vonimi. Dumani u përgjigj se koordinimi me palën italiane kishte ndikuar në afatet e ndërhyrjes, por ky version bie ndesh me dokumentin zyrtar të Gjykatës së Barit që konfirmon se autoritetet italiane e kishin mbyllur fazën hetimore dhe ishin gati për zbatim që në shkurt.
Kjo mospërputhje ka hapur debat dhe ekspertët e procedurës penale nuk arrijnë të japin një shpjegim ligjor të vlefshëm për vonesën 90-ditore në zbatimin e masave. Dyshimet për dekonspirim u forcuan edhe më shumë kur gazetarja Klodiana Lala i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në lidhje me mundësinë që operacioni ishte zbuluar përpara se të ekzekutohej. Proda, i sikletosur, mohoi çdo dekonspirim, por reagimi i tij nuk bindi.
Ndërkohë, emrat e efektivëve të arrestuar nuk u publikuan në konferencën zyrtare për shtyp, por burime mediatike zbuluan se mes tyre janë Orges Molla dhe Altin Morina, ky i fundit me lidhje të njohura me kupolën e Policisë së Shtetit. Ironikisht, Morina u kap rastësisht nga patrulla e Komisariatit nr. 2, teksa lëvizte i lirë në Tiranë, pavarësisht se kishte urdhër arresti aktiv për bashkëpunim me grup kriminal.
Ky operacion, që duhej të ishte një demonstrim force ndaj krimit të organizuar, po shndërrohet në një pasqyrë të hidhur të mosfunksionimit institucional, ku politika, policia dhe krimi duken të ndërlidhur më shumë seç duhet. Dhe ndërkohë që drejtësia italiane ka bërë punën e saj me kohë, shteti shqiptar po përballet me akuzat për sabotim të heshtur dhe mbrojtje të të fortëve.