Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula ka bërë një deklaratë të fortë në një studio televizive, duke hedhur dritë mbi një episod të panjohur më parë që përfshin kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.
Sipas Sulës, Rama ka kërkuar një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, por Dumani e ka refuzuar kërkesën, duke insistuar që nëse do të zhvillohej një bisedë e tillë, ajo të bëhej vetëm në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë.
“Dëgjo, dëgjo, nëse Edi Rama nuk kontrollon njeri, dhe nëse do një deklaratë publike, është Altin Dumani. Po ta them unë: Edi Rama ka kërkuar si kryeministër, jo si person privat, të bëjë një takim me kreun e SPAK-ut në kryeministri. Nuk ka shkuar, sepse Dumani ka kërkuar të jenë prezent edhe ndërkombëtarët,” – tha Sula.
Ish-deputeti shtoi se kjo është edhe arsyeja pse, sipas tij, Rama nuk e dëshiron Altin Dumanin në krye të SPAK, pasi ai “i ka arrestuar njerëzit e tij”.
“Sipas gjithë informacioneve, Edi Rama nuk e do Altin Dumanin, sepse Altin Dumani i ka arrestuar njerëz të afërt të tij,” – theksoi Sula.
Deklarata e tij erdhi gjatë debatit me juristin Indrit Sefa, i cili e ndërhyri duke i thënë me tone kritike:
“Shokët e ngushtë, shokët e fëmijërisë… O Dash, se po i bën dëm Strukturës!”
Kjo rrëfenjë e re hedh dritë mbi tensionet e nënkuptuara mes qeverisë dhe drejtuesve të SPAK, në një moment kur institucionet e drejtësisë po përballen me presione politike dhe ndërhyrje të fshehta, ndërsa opinioni publik kërkon transparencë dhe ndëshkim real të korrupsionit në nivelet më të larta.
