Skip to content

Zbardhet plani – Ja ç’po planifikon të bëjë Rama në Vlorë

Bregdeti i Vlorës pritet të pësojë një transformim të madh me një projekt zhvillimor urban masiv, i cili parashikon ndërtimin e rreth 90 mijë metër katrorëve. Projekti ambicioz, i titulluar “Vlore Beach Urban Development”, është hartuar nga studio e njohur arkitekturore Oppenheim për llogari të kompanisë Feniks Konstruksion, në pronësi të Ilir dhe Jaho Shyti.

Zhvillimi urban është planifikuar në një kryqëzim strategjik midis qytetit të vjetër të Vlorës, Pyllit të Sodës dhe një marine të ndërtuar së fundmi. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 20,465 metrash katrorë dhe do të shtojë 89,320 metra katrorë ndërtime të reja, duke përfshirë kulla shumëngjyrëshe që do të ndryshojnë ndjeshëm peizazhin bregdetar.

Sipas studios Oppenheim, në qendër të projektit do të jetë një shëtitore qendrore e dedikuar për këmbësorët, e cila do të shtrihet nga bulevardi deri në plazh. Kjo shëtitore është konceptuar si një element publik që lidh arkitekturën me natyrën përreth dhe jetën e përditshme të qytetit.

Studioja arkitekturore ka shpjeguar se inspirimi për këtë projekt ka ardhur nga fshatrat tradicionale shqiptare, me strukturat e tyre spontane dhe të formuara nga afërsia sociale. Këto ide janë riinterpretuar nëpërmjet një serie bllokesh urbane në shkallë të vogël, të organizuara rreth hapësirave të përbashkëta dhe të lidhura nga një korridor me kafene, sheshe, dyqane dhe zona publike me hije.

Megjithatë, raporti i Kapitali.al ngre shqetësime lidhur me shfrytëzimin intensiv të tokës dhe dendësinë e madhe të betonit, duke sugjeruar se ky zhvillim mund ta shndërrojë zonën në një lagje me tipare të ngjashme me “favela” braziliane, pavarësisht ngjyrave të ndryshme dhe sasisë së madhe të betonit.

Në projekt parashikohet që katet përdhese të kombinojnë aktivitetin tregtar dhe rezidencial. Tre kulla të larta, të vendosura brenda strukturës së bllokut, do të ngrihen mbi shkallën e përgjithshme të lagjes, duke ruajtur korridoret e pamjes dhe hapësirat e hapura. Fasada e tyre do të ndjekë të njëjtën gjuhë dizajni për të siguruar një harmoni arkitekturore.

Oppenheim thekson se “Vlore Beach Urban Development” e trajton zonën si një pikë konvergjence, ku ndërthuren mjediset natyrore dhe të ndërtuara, trashëgimia ekzistuese dhe zhvillimet e reja. Ende nuk është e qartë nëse projekti ka marrë lejen e ndërtimit, por fakti që është hartuar për llogari të kompanisë së njohur Feniks Konstruksion tregon për seriozitetin e kësaj nisme.

Published inLajme