Falë përparimeve të fundit në teknologjinë e analizës së ADN-së, autoritetet italiane kanë rihapur një çështje të pazgjidhur prej gati dy dekadash: vrasjen enigmatike të Maria Pellegrinit, një mësuese e dalë në pension, e cila u gjet e mbytur në dhjetor të vitit 2008, në banesën e saj në Casalserugo, provinca e Padovës.
Trupi i 78-vjeçares u zbulua në shtratin e saj, me një qese plastike të mbështjellë fort rreth fytyrës dhe të fiksuar me shirit ngjitës – një detaj tronditës, që tashmë po bëhet çelësi i ri i hetimit. Analizat e fundit të ADN-së mbi këtë shirit kanë çuar në një përputhje të mundshme me një 47-vjeçare shqiptare, aktualisht e dënuar dhe në burg për vepra të tjera penale, konkretisht për vjedhje.
Prokuroria italiane e ka futur zyrtarisht këtë grua në listën e të dyshuarve për vrasje dhe ka urdhëruar një ekspertizë të re shkencore, që do të zhvillohet në prani të ekspertëve të familjes së viktimës dhe mbrojtjes së të dyshuarës.
Në kohën e krimit, Maria Pellegrini njihej si pronare e disa pasurive të paluajtshme, të cilat i menaxhonte vetë. Megjithëse nuk mbante objekte me vlerë apo para në shtëpi, hetuesit dyshuan se mund të ishte viktimë e një grabitjeje të dështuar.
Familjarët e saj nuk e kanë reshtur kurrë kërkimin për drejtësi, duke bërë disa thirrje publike ndër vite, përfshirë një apel prekës në emisionin “Chi l’ha visto” në vitin 2021.
Pas një pritjeje të gjatë dhe paqartësish të shumta, zhvillimet e fundit teknologjike mund të japin më në fund një përgjigje për një nga rastet më të errëta të kronikës kriminale në rajonin e Padovës. Drejtësia, ndoshta, është më në fund në horizont.