Një politikane në Teksas, Bobbie Mitchell, u plagos rëndë të hënën në mëngjes pasi u sulmua me thikë nga nipi i saj, në një incident që rezultoi fatal për bashkëshortin e saj.
Bobbie Mitchell, Komisionere e Qarkut Denton dhe ish-kryebashkiake e parë me ngjyrë e Lewisville-it (1993-2000), u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje stabile, duke u trajtuar për plagët e marra. Bashkëshorti i saj, Fred Mitchell, u shpall i vdekur rreth orës 5 të mëngjesit.
Autoritetet konfirmuan se Mitchell Blake Reinacher, nipi 23-vjeçar i çiftit Mitchell, u arrestua në vendin e ngjarjes dhe u akuzua për vrasje dhe sulm të rëndë me armë të ftohtë. Sipas policisë së Lewisville, ai nuk ofroi rezistencë gjatë arrestimit.
Në një deklaratë zyrtare, policia tha se “vendi i krimit mbetet ende aktiv, ndërsa hetuesit dhe ekspertët e skenës së krimit vijojnë të mbledhin prova dhe të hetojnë rrethanat që çuan në këtë sulm tragjik.”
Kryetari aktual i bashkisë së Lewisville, TJ Gilmore, njoftoi në Facebook se Bobbie Mitchell i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe pritet të rikuperohet plotësisht.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, shprehu ngushëllimet e tij në një deklaratë, duke thënë se ai dhe bashkëshortja e tij, Cecilia, janë “thellësisht të tronditur” nga vdekja e Fred Mitchell.
“E falënderoj Departamentin e Policisë së Lewisville dhe ekipet e tjera të ndërhyrjes së shpejtë për reagimin e tyre të menjëhershëm dhe për dërgimin e shpejtë të Komisioneres Mitchell në spital,” tha Abbott. “Ne lutemi për shërimin e saj dhe për forcë për familjen dhe të afërmit e Fred Mitchell në këtë moment dhimbjeje.”
Ndërkohë, zëdhënësja e policisë së Lewisville, Rachel Roberts, deklaroi për CBS News se ngjarja do të ketë një “ndikim të thellë” në komunitetin lokal.
“Qyteti i Lewisville qëndron i bashkuar në refuzimin e dhunës dhe mbetet i përkushtuar ndaj drejtësisë, paqes dhe sigurisë për të gjithë ata që jetojnë dhe shërbejnë këtu,” tha Roberts.
