Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Pogradecit, ku 52-vjeçarja Kozeta Teço u gjet pa shenja jete në banesën e saj, e cila ishte përfshirë nga flakët. Fillimisht u dyshua se kishte humbur jetën nga asfikësia, por më pas u zbuluan shenjat e thikës në qafë, të cilat zbuluan se bëhet fjalë për vrasje. Autori i dyshuar i krimit është i dashuri i saj, Ilirjan Selmani.
Hetimet e shpejta të policisë kanë zbardhur dinamikën e krimit. Dyshohet se Ilirjan Selmani, 37 vjeç, i cili kishte një lidhje me Kozeta Teçon, fillimisht e ka vrarë 52-vjeçaren me thikë. Më pas, ai ka tentuar të fshijë gjurmët e krimit duke pastruar vendin dhe në fund i ka vënë zjarrin ambienteve të shtëpisë.
Megjithatë, përpjekja e tij për të humbur gjurmët dështoi. I riu ka ndezur disa vatra zjarri në banesë, por u kap nga kamerat e sigurisë duke hedhur diçka në koshin e mbeturinave aty pranë. Brenda koshave, policia gjeti peshqirë dhe kartopeceta me gj@kun e viktimës, të cilat ishin përdorur nga Selmani për të zhdukur provat dhe për të pastruar vendin e ngjarjes.
Autori është shoqëruar menjëherë në polici dhe po merret në pyetje për të zbardhur motivin që e shtyu të vriste partneren e tij. Në momentin kur po shoqërohej nga policia, i riu shfaqej i buzëqeshur para kamerave dhe iu drejtua gazetarëve me fjalët “Nuk jam unë vrasës, jo”, duke mohuar krimin.
Në dëshminë e tij në polici, Selmani ka deklaruar: “Besoj në Zot. E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës. Ajo dehej shpesh. Njësoj bëja dhe unë. Kjo na bashkonte, dashuria dhe e pira. Kohët e fundit kishte raste kur më godiste. E duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më. E dija që ishte më e madhe por unë e doja. Nuk më bënte përshtypje mosha. Ajo më përdorte, nuk më donte.”
Ndërsa pritet vlerësimi psikologjik i tij, Selmani rrëfeu edhe pse kishte hedhur në mbeturina peshqirët me gjak. “Peshqirët me gj@k i hodha në mbeturina duke menduar se mos në apartament ishte therur ndonjë pulë, sepse bashkëjetuesja ishte e fiksuar pas pastërtisë,” tha ai.
Për autorin dihet se ai punonte herë pas here në ndërtim apo në Greqi, dhe rezulton gjithashtu të ketë qenë përdorues i lëndëve narkotike. Një detaj shqetësues është se 37-vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe përfitonte pagesë invaliditeti për shkak të gjendjes së tij.
Një motiv i dyshuar për vrasjen lidhet me paratë. Teço, në biseda me persona të afërt, kishte pohuar se Selmani i kishte marrë rreth 20 milionë lekë në total gjatë viteve të lidhjes. Paratë, sipas saj, i vinin nga motrat që jetonin në Greqi dhe Tiranë. Madje, motra e viktimës e kishte vizituar disa orë para se ajo të vritej dhe ishte kthyer për në Tiranë. Çfarë kanë diskutuar me njëra-tjetrën, ende nuk dihet.
Pas vrasjes, Selmani është takuar me disa të njohur të tij, të cilëve u ka pohuar se kishte vendosur të ndahej nga Kozeta me pretendimin se ajo kishte krijuar një lidhje tjetër. Por e gjitha ishte një alibi që nuk e shpëtoi dot nga prangat.
Sotiraq Teço, kushëriri i viktimës, ka dhënë detajet për të cilat ai është në dijeni. “Nuk di gjë, nuk ndërhyj dot në gjëra që nuk më lejohet. Kozeta jetonte e vetme kohët e fundit. Unë kam 20 vite që kam ikur, tre ditë kam që u ktheva nga Anglia. Isha në Niçë, zbrita nga atje, u lajmëruam dhe po vijnë e familjarë të tjerë. Nuk e dija që bëhej fjalë për Kozetën, e dija sikur bëhej fjalë për motrën e madhe se ajo njëherë e ndarë. Për këtë nuk di gjë. Sa i përket kësaj ngjarje, e di shteti. Unë jam me shtetin, të japë drejtësi,” tha ai për mikrofonin e Top Channel.
“Ishte shumë njeri i mirë. Jetonte vetëm. Unë kam dalë nga banesa në orën 4:30, kam ikur në Maqedoni. Nuk pashë gjë kur ika. Tani e mora vesh. Dje ishte e motra këtu, por ajo banon në Tiranë,” është shprehur kushëriri i viktimës.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
