Pas numërimit të 139 qendrave të votimit dhe pas përpunimit të 2902 nga 2917 zarfa të votës së diasporës në Qarkun Kukës, rezultati ka pësuar një ndryshim të ndjeshëm në përfaqësimin e kandidatëve të Koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Fillimisht, kandidati Shkëlqim Shehu ishte më përpara në renditje me votat brenda vendit, por votat e diasporës kanë kthyer përmbys rezultatin. Isuf Çelaj ka siguruar 934 vota nga jashtë vendit, duke e çuar totalin e tij në 7,994 vota, vetëm 63 vota më shumë se Shehu, i cili ka marrë 438 vota nga jashtë vendit dhe ka një total prej 7,931 votash.
Në këtë mënyrë, mandati i dytë për koalicionin në Kukës i ka kaluar Isuf Çelajt, duke e renditur atë si deputet së bashku me Flamur Hoxhën, i cili është kandidat i fiksuar dhe e kishte të garantuar mandatin që në nisje të procesit.
Qarku i Kukësit është fituar nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila ka siguruar 2 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka marrë vetëm 1 mandat në këtë zonë.
Ky zhvillim nënvizon edhe një herë ndikimin vendimtar të votës së diasporës në garat e ngushta, ku edhe pak dhjetëra vota mund të përcaktojnë fatin e një kandidati dhe të ndryshojnë balancat e përfaqësimit në Kuvend.