Shqipëria pritet të përballet me një valë të nxehti ekstrem, e cila do të prekë të gjithë territorin, duke nisur nga e hëna e javës së ardhshme. Meteorologia Tanja Porja ka paralajmëruar se në disa zona të vendit mund të thyhen edhe rekordet historike të temperaturës.
Sipas parashikimeve të meteorologes për A2 CNN, nga dita e dielë dhe deri të premten tjetër, termometri maksimal do të shënojë vetëm ngjitje. Mesi i javës tjetër, në qarkun e Beratit, temperaturat do t’i afrohen maksimumit historik prej 44 gradë Celcius. Gjasat janë të larta që Berati të thyejë rekordin historik të temperaturës më të lartë rreth ditës së mërkurë apo të enjten.
Zonat më problematike do të jenë Elbasani dhe Shkodra, por kryesisht qarku i Beratit, i cili do të jetë shumë i nxehtë të mërkurën, të enjten dhe të premten. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të jetë me temperatura 35 gradë Celcius e më lartë. Mesdita, nga ora 10:00 deri në 16:00, do të jetë veçanërisht e nxehtë.
Porja bëri të ditur se temperatura nga 33 deri në 35 gradë Celcius priten edhe në të gjitha zonat malore, përfshirë ato më të thella që zakonisht janë të freskëta. “Presim 38-41 gradë Celcius në zonat malore verilindore. Kukësi do të ngjitet deri në 39-40 gradë Celcius javën që vjen. Të gjitha qytetet, përfshirë kryeqytetin, do të kapërcejnë 40 gradë,” tha ajo.
Pas datës 25, vendi do të jetë në kulmin e kësaj vale të nxehti. Meteorologia paralajmëroi gjithashtu se javën e ardhshme, në zona të caktuara të territorit, termometri do të shënojë 30 gradë Celcius edhe gjatë natës. Era do të jetë të paktën mesatare në brigjet detare, por në pikun e të nxehtit do të jetë disi problematike.
Me afrimin e kësaj vale të nxehti ekstrem, autoritetet shëndetësore dhe ato të mbrojtjes civile pritet të lëshojnë këshilla për qytetarët, veçanërisht për grupmoshat e rrezikuara si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Këshillohet shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut, konsumimi i ujit në sasi të mëdha dhe mbajtja e veshjeve të lehta. Gjithashtu, rritet rreziku i zjarreve, ndaj qytetarët duhet të jenë tejet të kujdesshëm.