Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në procedurat e aplikimit për viza jo-emigruese. Duke nisur nga data 2 shtator 2025, të gjithë aplikantët, përfshirë ata që rinovojnë vizën, do të duhet të paraqiten personalisht për një intervistë me një zyrtar konsullor. Ky vendim, i lëshuar nga Departamenti i Shtetit më 25 korrik 2025, zëvendëson rregullat më fleksibël të mëparshme, duke e bërë intervistën një detyrim për shumicën dërrmuese të kategorive të vizave.
Ndryshimi prek edhe aplikantët nën 14 vjeç dhe mbi 79 vjeç, të cilët në të kaluarën mund të përfitonin shpesh nga përjashtimi i intervistës. Qëllimi kryesor është forcimi i procedurave të kontrollit dhe vlerësimit të çdo aplikanti. Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të informohen me kohë përmes faqes zyrtare për të shmangur vonesat.
Kategoritë që përjashtohen nga intervista
Megjithatë, ekzistojnë vetëm tri kategori specifike që përjashtohen nga ky rregull i ri:
- Aplikantët me viza diplomatike ose zyrtare: Viza e klasifikuar me simbolet A-1, A-2, C-3, G1, G-2, G-3, G-4, NATO-1 deri në NATO-6.
- Aplikantët që rinovojnë një vizë specifike: Të cilët kanë një vizë B1, B-2, ose B1/B2 me vlefshmëri të plotë, dhe e rinovojnë brenda 12 muajve nga skadimi. Këta aplikantë duhet të kenë qenë të paktën 18 vjeç në momentin e lëshimit të vizës së mëparshme, të aplikojnë në vendin e tyre të shtetësisë, të mos kenë pasur refuzim vize (përveç rasteve kur refuzimi është kapërcyer ose falur), dhe të mos kenë arsye të dyshimta.
- Aplikantët e klasifikuar si TECRO E-1: Kjo kategori vlen për punonjësit e Zyrës Përfaqësuese Ekonomike dhe Kulturore të Tajvanit.
Është e rëndësishme të theksohet se oficerët konsullorë ruajnë të drejtën për të kërkuar një intervistë ballë për ballë në çdo rast dhe për çfarëdo arsye, pavarësisht nëse aplikanti plotëson kushtet për përjashtim. Për detaje të mëtejshme dhe udhëzime të sakta, qytetarët duhet të vizitojnë faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Tiranë.