Partia Socialiste ka përmbyllur zyrtarisht fushatën elektorale të 11 majit me një miting në Parkun Olimpik në Tiranë, duke synuar të japë mesazhin e mobilizimit të fundit përpara votimit. Mes banderolave, duartrokitjeve, fjalimeve të gjatë dhe premtimeve të mëdha, një detaj i pazakontë dhe thuajse teatror ka tërhequr më shumë vëmendje se vetë agjenda politike e ngjarjes.
Teksa deputetja Olta Xhaçka mbante fjalimin e saj përmbyllës në skenë, kamera ka kapur një moment që ka ndezur rrjetet sociale: kolegu i saj, deputeti Erion Braçe, shfaqet në prapaskenë duke tundur kokën me një gjest ironik dhe sarkastik, që është interpretuar nga shumë si shenjë pakënaqësie, talljeje apo ndoshta edhe përplasjeje të fshehtë. Reagimi i Braçes është bërë menjëherë viral në rrjetet sociale, duke hapur diskutime mbi tensionet e brendshme në kampin socialist, në një moment kur partia përpiqet të tregojë unitet dhe siguri.
Nuk dihet ende nëse veprimi i Braçes ishte një reflektim spontan i mospëlqimit ndaj fjalimit të Xhaçkës, një reagim ironik për kamerat, apo sinjal i ndonjë konflikti të pashprehur mes tyre gjatë fushatës. Por fakti që ky moment dominoi pasqyra mediatike të mitingut, tregon shumë për gjendjen e brendshme të PS-së, ku pas fasadës së një fushate të qetë, ndoshta ziejnë pakënaqësi dhe rivalitete të fshehura.
Në planin politik, kryeministri Edi Rama përdori këtë miting për të artikuluar objektivat elektorale të socialistëve. Duke folur para mbështetësve, ai tha se PS synon të fitojë “të paktën 78 mandate” në parlamentin e ardhshëm, duke shtuar se në Tiranë kërkon 20 mandate, nga 18 që ka aktualisht. Këto shifra janë pjesë e një narrative triumfale që Rama ka ndërtuar gjatë gjithë fushatës, duke shfaqur vetëbesim të lartë përballë një opozite të fragmentarizuar – megjithëse zhvillimet e fundit politike, përfshirë rihapjen e skenës ndërkombëtare për Sali Berishën pas vendimit të DASH për të hequr “Non Grata”-n, e kanë tronditur këtë bindje.
Mitingu në Parkun Olimpik u përpoq të jetë një demonstrim force dhe uniteti për PS-në, por veprimi i Braçes – sado i vogël – u bë simbolik. Në një fushatë ku imazhi është gjithçka, një lëvizje koke mund të zbulojë më shumë sesa një fjalim 10-minutësh.
Ndërkohë që Rama shpërndan optimizëm nga skena, në prapaskenë ndoshta po fryjnë erëra të tjera – më të ftohta, më ironike dhe më sinjalizuese se sa mund të duken me sy të lirë. 11 maji do të tregojë nëse kjo fushatë do të mbyllet me duartrokitje reale, apo me kokë të tundur në heshtje.
View this post on Instagram