Shira të rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të shpejta dhe shkatërruese përgjatë lumit Guadalupe në Qarkun Kerr, Teksas, duke rezultuar në një tragjedi me të paktën 24 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur. Sipas autoriteteve lokale, situata është kritike dhe operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë intensivisht.
Një shqetësim i madh është numri i madh i personave të zhdukur nga një kamp veror i krishterë për vajza, i vendosur në brigjet e lumit Guadalupe. Raportohet se mes 23 dhe 25 vajza janë ende të zhdukura nga ky kamp.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, në një konferencë për shtyp të mbajtur vonë të premten, siguroi publikun se operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë gjatë gjithë natës dhe të shtunës në përpjekje për të gjetur të mbijetuar. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke folur për gazetarët, ka premtuar se do të ofrojë ndihmën e nevojshme federale për të përballuar këtë katastrofë natyrore. “Do të kujdesemi për ta,” – tha ai.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së kishte lëshuar një alarm për gjendje të jashtëzakonshme përmbytjeje të menjëhershme për pjesë të qarkut Kerr, rreth 105 kilometra në veriperëndim të San Antonios, pasi stuhitë solli një sasi të madhe reshjesh deri në 30 centimetra. Zyrtarët shtetërorë të menaxhimit të emergjencave kishin paralajmëruar që të enjten për rrezikun e përmbytjeve në Teksasin perëndimor dhe qendror. Megjithatë, siç u shpreh W. Nim Kidd, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në Teksas, sasia e reshjeve që shkaktoi përmbytjet ishte më e madhe nga sa ishte parashikuar.
Sherifi i qarkut Kerr, Larry Leitha, konfirmoi gjatë konferencës për shtyp se 24 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve. Zëvendësguvernatori Dan Patrick tha se autoritetet po kërkojnë 23 vajza të zhdukura nga mbi 750 fëmijë që ndodheshin në kampe verore përgjatë lumit Guadalupe kur zona u përmbyt rreth orës 4 të mëngjesit. Vajzat e zhdukura ishin pjesëmarrëse në Camp Mystic, një kamp veror privat i krishterë.
Autoritetet kanë siguruar se të gjithë fëmijët e tjerë në kampe janë të sigurt dhe evakuimi i tyre ka vazhduar gjatë gjithë ditës. Deri të premten në mbrëmje, ekipet e emergjencës kishin shpëtuar ose evakuuar 237 persona, duke përfshirë 167 me helikopter.
Me reshje të tjera të parashikuara në rajon, zëvendësguvernatori Patrick paralajmëroi se rreziku për përmbytje të tjera të menjëhershme mbetet i lartë nga San Antonio deri në Waco për 24 deri në 48 orët e ardhshme. Zyrtarët thanë gjithashtu se personel nga Rojat Bregdetare të SHBA dhe Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) janë aktivizuar për të ndihmuar autoritetet lokale në përballimin e kësaj krize të madhe.