Renis Dobra, një 23-vjeçar nga Burreli, është personi i ri që u gjet pa shenja jete pranë liqenit të Shkopetit në fshatin Madhesh të Ulëzës në Mat. Lajmi u konfirmua pas kërkimeve disaorëshe nga policia, pas denoncimit të mbrëmjes së djeshme nga babai i viktimës, Rufat Dobra, i cili kishte humbur kontaktet me të birin.
Sipas informacioneve të para nga policia, automjeti me të cilin lëvizte 23-vjeçari dyshohet se ka rënë në liqenin e Shkopetit. Megjithatë, policia nuk ka dhënë ende një sqarim zyrtar për shkakun e vdekjes. Ndërkohë, raportimet nga mediat sugjerojnë se i riu mund të jetë vrarë me armë zjarri, duke shtuar misterin mbi këtë ngjarje.
Ekzistojnë gjithashtu dyshime se 23-vjeçari mund të jetë rrëmbyer gjatë ditës së djeshme përpara se të ekzekutohej, duke e bërë ngjarjen edhe më të rëndë dhe shqetësuese.
Policia e Matit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur sa më shpejt rrethanat e plota të kësaj tragjedie dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin. Deri më tani, dihet se 23-vjeçari Renis Dobra nuk njihej për precedentë të rëndë kriminalë, përveç disa rasteve të vjedhjeve në të kaluarën. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së tij dhe nëse ajo ka qenë aksident, vetëvrasje apo një akt kriminal.