Pasditen e sotme, kryeqyteti u përfshi nga një ndjekje e tensionuar policore, kur forcat speciale “Shqiponja” iu vunë pas një automjeti luksoz “Audi Q8” me dy persona në bord, për të cilët kishte dyshime të arsyeshme se ishin të armatosur.
Sipas një komunikate zyrtare nga Policia e Tiranës, rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, patrullat e “Shqiponjave” i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit në fjalë. Megjithatë, drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar kaos dhe panik në rrugë. Gjatë tentativës për t’u larguar, automjeti i ndjekur ka përplasur tre automjete të tjera, duke shkaktuar dëme materiale.
Më pas, në rrugën “Moskat”, dy personat që ndodheshin në “Audi Q8” kanë braktisur automjetin dhe janë përpjekur të arratisen në këmbë. Gjatë largimit, ata dyshohet se kanë hedhur në tokë një armë zjarri të tipit pistoletë, e cila është sekuestruar nga policia dhe do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike.
Si rezultat i ndjekjes së shpejtë dhe efektive nga forcat e policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë i pasagjerit të automjetit, i identifikuar si Skerdi Sina, 29 vjeç. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, policia ka gjetur një krehër me municion. Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se është bërë identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Emri i Skerdi Sinës nuk është i panjohur për policinë. Ai rezulton të jetë shpallur në kërkim edhe në janar të këtij viti, së bashku me katër persona të tjerë, pasi akuzohen se kanë mbajtur të mbyllur dhe nën kërcënimin e armës një 21-vjeçare në një banesë me qira ditore në zonën e Astirit. Ata dyshohet gjithashtu se kishin konsumuar lëndë narkotike.
Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë rast po vijon me veprimet e nevojshme për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi kryeqytetin.
