Skip to content

VIDEO – Aksioni i madh policor pas urdhrit të kryeministrit – Detajet

Aksioni i ndërmarrë në qytetin e Vlorës për të pastruar dhe liruar hapësirat publike nga çdo formë zënieje të paligjshme u zhvillua me intensitet gjatë gjithë natës së kaluar, një ditë pasi Kryeministri Edi Rama u kishte bërë thirrje të fundit zaptuesve që të reflektonin përpara se autoritetet të zbrisnin në terren.

Një ditë më parë, Kryeministri Rama kishte ndarë në rrjetet sociale disa foto nga zaptimi i hapësirave publike në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, duke e cilësuar situatën si “toke të xanun”. Ai kishte përsëritur kërkesën për lirimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar zaptuesit se nëse nuk vepronin vetë, do të përballeshin me gjoba dhe ndjekje penale për shkatërrim të pronës publike dhe cënim të sigurisë së qytetarëve. “Kush nuk do t’i tërhiqte vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohej jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale,” – kishte shkruar Rama. Ai kishte shtuar se ishte koha që shumica të merrte atë që i takonte dhe pakica të kthente atë që nuk i takonte.

Ndërkohë, Rama kishte qenë më i ashpër në rastin e Vlorës, duke kërkuar lirimin e hapësirave publike në Lungomare brenda 48 orëve dhe heqjen e strukturave të paligjshme. Ai kishte paralajmëruar se nga dita e hënë zaptuesit nuk do të kishin më asnjë kontroll mbi ato hapësira. Rama kishte ndarë foto nga zaptimi në Lungomare, duke e cilësuar atë si një kategori të re të quajtur “Pergolatë”, ku trotuaret dhe hapësirat e përbashkëta ishin zaptuar nën justifikimin se toka u përket ndërtuesve të pallateve. Kryeministri kishte theksuar se kjo kishte ndodhur me heshtjen e inspektorëve dhe drejtuesve të bashkisë për vite me radhë. “Kishin 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga dita e hënë nuk do kishin më asgjë në dorë,” – kishte shkruar Rama.

Në linjë me paralajmërimet e Kryeministrit, aksioni në Vlorë u zhvillua intensivisht gjatë gjithë natës së kaluar. Strukturat e Policisë së Vlorës, forcat e policisë rrugore dhe drejtues të lartë të Bashkisë së Vlorës ishin prezente në terren, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë për të zbatuar ligjin. Vëmendja kryesore u përqendrua te automjetet e parkuara në mënyrë të palejuar në hapësirat publike, të cilat u larguan nga vendparkimi me karrotrec. Autoritetet kishin bërë të ditur se pronarët e këtyre automjeteve do të ndëshkoheshin me masa administrative. Aksioni vijoi deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, me synimin për të liruar plotësisht të gjitha zonat e zëna në mënyrë të paligjshme në qytetin e Vlorës. Ky operacion duket si fillimi i një fushate më të gjerë për të rikthyer hapësirat publike në shërbim të qytetarëve, duke pasur parasysh edhe paralajmërimet e ngjashme për Tiranën.

Published inLajme