Skip to content

Vendos gjykata! Dhëndri i Berishës merr lajmin e madh

Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është liruar nga masa e arrestit në shtëpi, e cila i ishte caktuar që prej 21 nëntorit të vitit 2023. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë me garanci pasurore.

Malltezi ndodhet nën hetim në lidhje me çështjen e njohur si “dosja Partizani”, ku akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas akuzave të ngritura nga prokuroria, ai ka përfituar në mënyrë të parregullt të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi, duke përfituar nga vendimet e qeverisë të marra në kohën kur vjehrri i tij, Sali Berisha, ishte kryeministër.

Pas vendimit të gjykatës, Malltezi ka dhënë një prononcim për mediat, duke e cilësuar procesin ndaj tij si të motivuar politikisht dhe të urdhëruar direkt nga Kryeministri Edi Rama. Ai ka shprehur bindjen se nuk ka të bëjë me një shtet ligjor, por me një përpjekje të qeverisë për të luftuar kundërshtarët politikë të Partisë Socialiste.

“Kemi zëvendësimin e masës me garanci pasurore. Ka mbi 20 muaj që kjo ishte një farsë politike, ishte një urdhër politik. Nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, por me një shtet që lufton armiqtë e PS. Vendimi i sotëm vjen pas 20 muajsh privim lirie thjesht me një urdhër politik të Edi Ramës. E mbani mend se si në Kongresin e PS Edi Rama urdhëroi SPAK të procedojë penalishët Sali Berishën, të njëjtën gjë e kërkoi edhe ambasadorja e korruptuar amerikane si Yuri Kim. Prandaj kemi të bëjmë me një proces politik,” – ka deklaruar Malltezi para gazetarëve.

Vendimi i SPAK për zëvendësimin e masës së sigurisë vjen pas më shumë se një viti e gjysmë që Malltezi ndodhej në arrest shtëpie, duke shënuar një zhvillim të ri në ecurinë e çështjes “dosja Partizani” që ka ngjallur interes të madh publik.

Published inLajme