Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik për Naim Murselin, të akuzuarin kryesor për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, në nëntor të vitit 2023 në Prishtinë. Rezultatet e raportit tregojnë se Murseli nuk vuan nga asnjë çrregullim mendor apo sëmundje psikike, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për veprimet e tij në kohën e ngjarjes tragjike.
Sipas dokumentit të publikuar, ekspertët psikiatrikë nuk kanë konstatuar ndonjë çrregullim mendor të përkohshëm apo të përhershëm tek Naim Murseli. Gjithashtu, në raport theksohet se nuk janë gjetur asnjë shenjë e abuz1mit me alkool apo substanca narkotike në organizmin e të dyshuarit, dhe nuk ka asnjë pengesë në zhvillimin e tij mendor që do të ndikonte në perceptimin e realitetit.
Raporti sqaron se Naim Murseli, në ditën e vrasjes së bashkëshortes Liridona Ademaj, ka qenë plotësisht i vetëdijshëm dhe i aftë për të kuptuar veprimet e tij dhe pasojat që ato mund të shkaktonin. Analizat e kryera nga ekspertët kanë arritur në përfundimin se “nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij”, siç citohet në raportin e publikuar nga KlanKosova.
Raporti psikiatrik vë në dukje se Naim Murseli është plotësisht i vetëdijshëm dhe në gjendje të llogarisë dhe të ndërveprojë normalisht me avokatët e tij, të marrë pjesë në procesin gjyqësor dhe të kuptojë akuzat e ngritura ndaj tij. Përshkrimi i gjendjes aktuale të Murselit tregon një person të orientuar në kohë dhe hapësirë, i cili ka qenë bashkëpunues dhe i qetë gjatë ekzaminimit, duke komunikuar në mënyrë të qartë. Ekspertët nuk kanë vërejtur asnjë shqetësim në të menduar apo në mënyrën e perceptimit të tij, ndërsa funksionet e tij njohëse janë të ruajtura.
Dokumenti përmend gjithashtu se Murseli është i vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet dhe përdor mekanizma mbrojtës si shmangien dhe mohimin. Ai aktualisht mohon të ketë mendime për vetëlëndim apo për të lënduar të tjerët.
Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, më 29 nëntor 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, rasti u raportua si një “grabitje me pasojë vdekjen”, por dy ditë më vonë autoritetet arrestuan dy persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në krim: Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava. Raporti psikiatrik i fundit e çon më tej procesin gjyqësor ndaj Murselit, duke konfirmuar aftësinë e tij mendore për të përballuar akuzat dhe gjykimin.