Për herë të parë, të gjithë punonjësit e administratës publike – qendrore dhe vendore – do të përfitojnë indeksimin vjetor të pagave me 2.5%, një skemë e re që lidhet drejtpërdrejt me rritjen e pagës minimale dhe me inflacionin vjetor.
Kjo rritje do të prekë disa kategori të rëndësishme të sektorit publik, përfshirë administratën shtetërore, mësuesit, mjekët, infermierët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit.
Administrata Publike: rritje e diferencuar
Sipas të dhënave zyrtare, rritjet e pagave për administratën janë si më poshtë:
10 600 punonjës të shërbimeve administrative do të marrin një shtesë prej +10,000 lekësh në muaj.
Specialistët e administratës publike do të përfitojnë një rritje prej +5,000 lekësh në muaj.
Mësuesit do të marrin një rritje mujore prej +3,000 lekësh.
Kjo skemë synon të harmonizojë pagat me nivelin e ri të pagës minimale, duke u përpjekur të mbajë të qëndrueshme fuqinë blerëse të punonjësve në kushtet e rritjes së çmimeve.
Shëndetësia: rritje për mjekët dhe infermierët
Një nga sektorët që përfiton ndjeshëm nga vendimi është ai i shëndetësisë. Pagat e bluzave të bardha do të rriten si më poshtë:
Mjekët e përgjithshëm: nga 131,700 lekë në 143,500 lekë në muaj.
Mjekët në spitale: nga 174,000 lekë në 186,000 lekë në muaj.
Infermierët: nga 87,000 lekë në 92,500 lekë në muaj.
Sipas burimeve zyrtare, kjo rritje synon të frenojë largimet e stafit mjekësor drejt vendeve të BE-së dhe të rrisë motivimin e punonjësve mbi të cilët rëndon pjesa më e madhe e shërbimit publik shëndetësor.
Policia e Shtetit: rritje për të gjitha gradat bazë
Rritje page do të ketë edhe për efektivët e Policisë së Shtetit, me diferencime sipas gradave:
Inspektorët: nga 80,500 lekë në 84,500 lekë në muaj.
Nënkomisarët: nga 95,500 lekë në 101,000 lekë në muaj.
Komisarët: nga 105,000 lekë në 110,600 lekë në muaj.
Drejtuesit e thjeshtë: nga 130,500 lekë në 141,450 lekë në muaj.
Rritja synon të përmirësojë kushtet financiare të punonjësve të rendit, një trupë që përballet me ngarkesë të madhe pune dhe rreziqe të larta.
Indeksimi 2.5% dhe rritja e pagës minimale
Vendimi vjen si pjesë e skemës së re të indeksimit që lidhet me:
rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar,
inflacionin vjetor,
dhe harmonizimin e pagave në sektorët vitalë të shtetit.
Ky indeksim pritet të aplikohet çdo vit, duke bërë që punonjësit e administratës të mos mbeten prapa ritmit të rritjes së kostos së jetesës.
