Ngushtica e Hormuzit, që ndodhet midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, është rruga detare përmes së cilës kalon mbi 20% e naftës dhe LNG-së që konsumon planeti. Me një gjerësi prej vetëm 21 miljesh detare në pikën më të ngushtë, ajo është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj çdo lloj konflikti apo bllokade ushtarake. Kanalet e saj të transportit janë kaq të ngushta sa që një incident i vetëm mund të mjaftojë për të bllokuar lundrimin e flotave të tëra tregtare.
Eksperti i tregtisë globale, Gerrit Heinemann, paralajmëroi për gazetën gjermane Bild se një mbyllje e Hormuzit do të ishte “një katastrofë ekonomike me pasoja më të rënda se pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë së bashku”. Ai shtoi se pasojat do të ndiheshin në zinxhirët e furnizimit, çmimet e energjisë, rritjen e inflacionit dhe papunësisë në një shkallë të paprecedentë.
Ministri i Jashtëm i Irakut, Fuad Hussein, nuk e fshehu shqetësimin e tij, duke paralajmëruar se bllokimi i kësaj pike strategjike do të krijonte një “krizë energjetike globale” dhe do të destabilizonte më tej rajonin tashmë të tensionuar të Lindjes së Mesme.
Tensionet janë të ndezura si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit ushtarake, ku SHBA ka ndërmarrë një sulm të bujshëm ndaj tre qendrave kyçe bërthamore të Iranit, përfshirë Fordow, Natanz dhe Isfahan. Presidenti Donald Trump e justifikoi ndërhyrjen si “të domosdoshme për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të ndalur përparimin e Iranit drejt armatimit bërthamor”. Pas këtij sulmi, Trump bëri thirrje për ulje në bisedime paqeje, por sinjalet që vijnë nga Teherani tregojnë më shumë përshkallëzim sesa gatishmëri për dialog.
Komandanti Kosari theksoi gjithashtu se përgjigja ushtarake ndaj sulmeve amerikane është “vetëm një pjesë e reagimit iranian” dhe se “duart e Iranit janë të lira për të ndëshkuar armikun në çdo mënyrë që e shohin të përshtatshme”.
Ndërkohë që bota mban frymën për zhvillimet e mëtejshme, çdo vendim për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit pritet të pasohet nga reagime të forta ndërkombëtare dhe, sipas disa analistëve, mund të shërbejë si shkëndijë për një konflikt të ri rajonal me përmasa të pakontrollueshme.