Skip to content

Veliaj kerkoi te shtrohej me urgjence ne spital, Rama dhe Ulsi Manja i bëjnë atë qe s’ia merrte mendja

Rreth 30 forca speciale policie janë angazhuar sot për të shoqëruar Erion Veliajn në një klinikë private në Durrës, ku ai ka kryer një ndërhyrje mjekësore për kolonoskopi — një procedurë standarde për parandalimin e sëmundjeve të zorrës së trashë, të cilën Veliaj e kryen çdo vit për shkak të historikut familjar.

Por ndërhyrja mjekësore, që duhej të ishte një e drejtë bazë për çdo të paraburgosur, u pengua për dy javë nga Drejtoria e Burgjeve, e cila refuzoi t’i jepte lejen mjekësore, derisa Ministria e Drejtësisë mundësoi shoqërimin e tij me 30 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Tre prej tyre kanë qëndruar brenda sallës së ndërhyrjes, si të kishin përballë një person me rrezikshmëri të lartë kriminale.

Çuditërisht, kryeministri Edi Rama nuk ka ndërhyrë në asnjë moment për të përshpejtuar këtë leje të vonuar padrejtësisht, edhe pse bëhet fjalë për një ish-kryetar bashkie, një figurë politike e dalë nga radhët e tij dhe një anëtar i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Heshtja e Ramës është një sinjal domethënës për mënyrën si pushteti po e trajton Veliajn — jo si një i dyshuar pa aktakuzë, por si një kundërshtar për t’u shkatërruar politikisht dhe fizikisht.

Ministri Ulsi Manja nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë vonesë dyjavore, por burime thonë se ndoshta shkaku ishte përfshirja e forcave speciale në operacionin në Theth. Megjithatë, zgjedhja për ta shoqëruar Veliajn me njësi anti-terrori në një klinikë për një procedurë rutinë, ngjan më shumë si një demonstrim force sesa masë sigurie.

Ironikisht, dy netë më parë, të njëjtat forca speciale hynë në qelinë e tij në mesnatë për një kontroll të befasishëm, duke dyshuar për një telefon të fshehur. Nuk u gjet asgjë, por shumë të burgosur të tjerë u trembën se mund t’u konfiskoheshin edhe atyre mjetet që përdorin për komunikim.

Në të njëjtën kohë, mediat raportojnë se kriminelë të rrezikshëm në burgje marrin trajtim preferencial, përdorin telefonin lirshëm, dhe madje komandojnë stafin e burgjeve, ndërsa Veliaj ndalohet të kryejë edhe një kontroll rutinë mjekësor.

Kjo farsë e turpshme ndodh pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila në mënyrë unanime vendosi mbajtjen në arrest të Veliajt, edhe pse ndaj tij nuk ekziston ende asnjë akuzë zyrtare. Të tre gjyqtarët që morën vendimin janë të njohur për lidhjet e tyre me pushtetin dhe me ministrin Manja, duke përforcuar bindjen se Veliaj nuk është thjesht një objekt hetimi i SPAK-ut, por një objektiv i qartë politik nga vetë sistemi që e prodhoi.

Ndërsa Rama hesht dhe nuk lëviz as gishtin për të ndihmuar dikë që dje ishte fytyra e Partisë Socialiste në Tiranë, mesazhi është i qartë: kur pushteti vendos të të hedhë tej, nuk të shpëton as historia, as lojaliteti, as shëndeti.

Published inShowbizz