Një ngjarje dramatike me pasoja fatale për një shtetas shqiptar ka ndodhur pasditen e djeshme në rajonin e Ravenës, në Itali. Një 38-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën gjatë një aksidenti të rëndë në vendin e punës, teksa po operonte me një makineri të rëndë bujqësore në një fermë mes zonave Solarolo dhe Castel Bolognese.
Sipas raportimeve të mediave italiane, viktima ndodhej i vetëm në momentin e ngjarjes, duke manovruar një “muletto” – një lloj pirun-ngritësi që përdoret në sektorin bujqësor për lëvizjen e ngarkesave të mëdha. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur kur për arsye ende të paqarta, makineria ka pësuar një defekt ose ka rrëshqitur, duke e zënë poshtë shqiptarin. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ai është shtypur nga piruni metalik i mjetit, por autoritetet janë ende duke hetuar për të sqaruar në mënyrë të plotë dinamikën e tragjedisë.
Alarmin për zhdukjen e tij e dhanë familjarët, të cilët rreth orës 18:00 të pasdites u shqetësuan pasi nuk kishin më kontakt me të për disa orë. Menjëherë u lajmëruan shërbimet emergjente, të cilat mbërritën në fermën ku ndodhi aksidenti. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe ndihmës së parë, mjekët nuk mundën të bënin asgjë tjetër përveçse të konstatonin vdekjen e 38-vjeçarit.
Në vendngjarje u paraqitën edhe karabinierët, si dhe inspektorët e punës nga Ausl Romagna, të cilët kanë nisur hetimet për shkelje të mundshme të standardeve të sigurisë në punë. Me urdhër të Prokurorisë së Ravenës, mjeti bujqësor është sekuestruar për ekspertiza teknike që do të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të sakta të aksidentit.
Viktima kishte vite që jetonte dhe punonte në zonën e Castel Bolognese dhe njihej nga komuniteti si një njeri i përkushtuar ndaj familjes dhe punës. Vetëm një vit më parë, ai ishte ribashkuar me familjen e tij në Itali, pas një periudhe të gjatë ndarjeje për arsye emigracioni dhe mungese dokumentacionesh.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet italiane kanë ngritur pyetje të forta mbi sigurinë në vendet e punës në sektorin bujqësor, ku shpesh emigrantët shqiptarë dhe nga vende të tjera ballkanike punojnë në kushte të vështira dhe me mjete që nuk janë gjithmonë të certifikuara.
Hetimet po vazhdojnë dhe pritet një raport i detajuar nga Prokuroria italiane mbi përgjegjësitë eventuale në këtë tragjedi që i mori jetën një burri të ri dhe la pas një familje të shkatërruar.