Një tjetër tragjedi ka ndodhur në një kantier ndërtimi në Tiranë, me pasoja fatale për një punëtor të huaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në zonën e ish-Bllokut, ku një 47-vjeçar me shtetësi të huaj ka humbur jetën pasi ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme teksa ishte në punë.
Viktima, identiteti i të cilit njihet me inicialet V. N., po punonte në ndërtimin e një pallati luksoz, të njohur tashmë si “Pallati i Shkëlzenit”, për shkak të lidhjeve të ngushta të kësaj ndërtese me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Shkelje flagrante të sigurisë, arrestime dhe arratisje
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, vdekja e 47-vjeçarit ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka arrestuar D. H., 32 vjeç, inxhinier në firmën ndërtuese, ndërsa janë shpallur në kërkim administratori i firmës E. K., 34 vjeç dhe drejtuesi teknik R. J., 75 vjeç.
Ndërkohë që hetimet po vazhdojnë, burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se në kantier mungonin kushtet minimale të sigurisë teknike, dhe se punonjësit nuk ishin të pajisur me mjetet e nevojshme mbrojtëse.
Kush është “Gimi i Redbullit” dhe pse përflitet për lidhje me Familjen Berisha
Ndërtesa ku ndodhi ngjarja po ndërtohet nga firma ndërtimore e Agim Zeqos, një biznesmen i njohur me nofkën “Gimi i Redbullit”. Zeqo është një figurë e përfolur në qarqet e ndërtimit dhe në media për lidhje të ngushta me Shkëlzen Berishën. Dyshimet që qarkullojnë prej kohësh, dhe që janë rindezur pas kësaj ngjarjeje tragjike, flasin për përdorimin e Zeqos si prestanome për investime të Familjes Berisha, si në Tiranë, ashtu edhe në resorte luksoze në bregdet.
Pallati ku ndodhi aksidenti, përveç përmasave luksoze dhe vendndodhjes elitare, është cilësuar në media si një simbol i pasurimit të errët përmes lidhjeve politike.
Agim Zeqo jeton në një vilë në kompleksin “Rolling Hills”, vetëm pak metra larg vilës së Shkëlzen Berishës, fakt që për shumë është tregues i një marrëdhënieje të ngushtë familjare dhe ekonomike mes tyre. Sipas burimeve, të dy janë parë shpesh bashkë në udhëtime jashtë vendit dhe kanë interesa të përbashkëta në disa projekte ndërtimi.
Përfitues i pushtetit? Emri i Zeqos përmendet edhe në dosje të SPAK
Emri i Agim Zeqos përmendet gjithnjë e më shpesh në dosje dhe hetime të ndryshme të SPAK, ku ai dyshohet si një nga individët që mbulon pastrimin e parave për politikanë të profilit të lartë, përfshirë edhe figura aktualisht në kërkim, si ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
Zeqo përflitet gjithashtu si një ndër përfituesit më të mëdhenj të koncesioneve, lejeve të ndërtimit dhe tenderëve publikë nën qeverinë e Edi Ramës, duke qenë, sipas kritikëve, pjesë e një rrjeti biznesmenësh që shërbejnë si “bankomatë” financiarë për elitën politike, nga Berisha te Ahmetaj, nga Bashkim Ulaj te Rrok Gjoka.
Një vdekje që rihap pyetje të mëdha
Vdekja tragjike e një punonjësi të huaj, përballë një godine ku përplasen interesa të mëdha politike dhe financiare, është simboli i një Shqipërie ku punëtori i zakonshëm vdes në heshtje, ndërsa ata që fitojnë nga shkelja e ligjit shpeshherë janë të paprekshëm.
Ndërkohë që dy prej të hetuarve janë në arrati, dhe ndërtimi i pallatit vazhdon mes skandaleve, familja e viktimës kërkon drejtësi. Dhe opinioni publik pret përgjigje – jo vetëm për vdekjen e një punëtori, por për rrënjët e korrupsionit dhe abuzimit që mbajnë në këmbë këto “kulla pushteti”.